Në Prizren do të vendoset shtatorja e ish-presidentit Rugova
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherësh deputeti i Kuvendit, Driton Selmanaj njoftoi se shtatorja e ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, do të vendoset dhe në Prizren.

Referuar projektit ajo do vendoset në qendër, gjegjesisht në pjesën ku ishte edhe dega e LDK, që lidhet me Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, raporton Gazeta e Prizrenit.
“Shtatorja e Presidentit Rugova në “Sheshin e Lidhjes” do të formoj arkitekturën historike dhe vlerave të mëdha kombëtare, që bartë qyteti i Lidhjes së Prizrenit”, shkroi ai në faqen e tij të Facebook-ut.

Me propozim të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, Kuvendi Komunal i Prizrenit, dje votoi buxhetin komunal 2025, ku parashihet që në kryeqyetin shpirtërorë të shqiptarëve, të vendoset shtatorja e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.
“Faleminderit për projektin ideor, të punuar në mënyrë shumë profesionale nga arkitektja prizrenase Ajlin Shishko”, ka shkruar Selmanaj./Gazeta e Prizrenit.
