24-11-2024

Në Prizren janë evidentuar 15 arinj, 7 prej tyre të vegjël, që po lëvizin përreth

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, nuk ka mundur të anashkalohet edhe çështja e arinjve në Prizren.

Në një raport rreth kësaj çështje, drejtori i Bujqësisë, Egzon Elshani, tha se që nga fundi i muajit Mars e këndejmi, janë raportuar disa raste nga banorët e fshatit Pouskë të Zhupës për mbytjen e mbi 70 deleve dhe qengjave në këtë lokalitet nga arinjtë, si dhe për dëmtimin e 12 kosherëve me bletë te një bletari nga lagjja “ Tusuz”.

Drejtori Elshani, tha se ky dikaster ka ndërmarrë hapa konkret duke kërkuar nga ministria e Mjedisit bashkëpunim për t’u ofruar mbrojtje banorëve të këtij lokaliteti. Me këtë rast, është bërë kujdestari nga anëtarë të Shoqatës së Gjahtarëve “ Sharri”, ndërsa ai thotë se janë identiifkuar 15 arinjë, 7 prej tyre të vegjël, të cilët lëvizin në zonën e Zhupës, njoftoi ai.

Ai tha se ariu si kafshë është i mbrojtur me ligj, dhe se për këtë çështje kompetencat i takojnë ministrisë së Mjedisit, e cila obligohet që të kryej edhe dëmshpërblimin për pronarët e bagëtive të imëta të cilët janë dëmtuar nga arinjtë.

Ndryshe, kjo temë mbetet mjaft e përfolur, pasi që arinjtë vazhdojnë të lëvizin në vende të ndryshme përgjatë Parkut Nacional “ Malet Sharr” dhe përreth qytetit të Prizrenit. Së fundi është angazhuar edhe një ekspert nga Kroacia, i cili ka dhënë instruksione për institucionët përkatëse se si të veprojnë ndaj arinjve, duke kërkuar që ata të mbahen larg vendbanimeve./tvprizreni.info/

Asnjë koment

Comments are closed.