26-04-2024

Në Prizren u mbajt orë letrare kushtuar poetit, Rexhep Smajlaj

Në 10-vjetorin e shkuarjes në amshim, me një orë letrare mbrëmë në Prizren është përkujtuar poeti, shkrimtari dhe intelektuali prizrenas, Rexhep Smajlaj.

Miqtë dhe krijuesit pjesëmarrës me këtë rast vlerësuan lart karakterin njerëzor dhe krijimtarinë letrare të poetit, që me plot maturi, mundohej ta përçonte edhe tek të tjerët, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.

Për veprimtarinë letrare të Rexhep Smajlajt foli Dr. Besim Muhadri, i cili ndër tjera tha se kur flasim për poezinë e Smajlajt, duhet të dimë se ai arriti të krijojë personalitetin e tij letrar, ndërsa në poezinë e tij hasim një gjuhë të figurshme, e cila ka një kuptim, sa poetik, aq edhe filozofik.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

“Filozofia poetike e Rexhep Smajlajt ishte e ndërtuar mbi një koncept thellësisht të mbështetur në traditën tronë letrare, kulturore dhe historike. Kur flasim për Rexhep Smajlajn, vazhdimisht duhet të kemi parasysh një krijues të vërtetë e të vëmendshëm, që para lexuesit arriti të servojë një varg të gdhendur mirë dhe të motivuar. Kjo na tregon se poezia e tij është një poezi e kujtesës sonë historike e mbështetur thellësisht në trashëgiminë tonë kulturore dhe gjuhësore, rrënjët e së cilës gjithsesi duhet kërkuar te tradita”, tha ndër tjera ai.

Me këtë rast para të pranishmëve me poezitë e tyre, disa prej të cilave kushtuar poetit Smajlaj u paraqitën krijuesit: Salajdin Krasniqi, Gazmend Beqaj, Qazim Thaçi, Myrvete Kabashi-Leku, Ramadan Haxhiaj, Ilam Berisha, e të tjerë.

Rexhep Smajlaj është marrë edhe me shkrime për fëmijë dhe të rritur, kryesisht në fushën e poezisë. Ai la të botuara 8 libra, kryesisht në poezi. Disa nga titujt janë: “Rrefim Pashtriku”, “Nuk matem me hijen time”, “Kronikë shtigjesh”, e të tjerë. Në disa libra, Smajlaj ka qenë edhe recensentë, ndërsa ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Kujtime për poetin Smajlaj sollën Nexhat Çoçaj e Hajdar Mallaku, ndërsa pjesë nga krijimtaria poetike e autorit deklamoi Fikret Rama, anëtar i Teatrit Amator të Prizrenit.

Takimi u organizua nga shoqata për kulturë dhe art “Fidani” në Prizren. /GazetaePrizrenit.net./

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Asnjë koment

Comments are closed.