26-04-2024

Në Prizren u përurua libri “Ngjarjet e lavdisë”, një kujtesë historike për vitet e 90-ta (foto)

Në librin “Ngjarjet e lavdisë”, të profesorit e gazetarit prizrenas, Qazim Morina janë përfshirë disa nga ngjarjet më të lavdishme, gjatë periudhës 10-vjeçare, të viteve të 90-ta, në Komunën e Prizrenit, duke paraqitur rezistencën, luftën dhe ditët e para të çlirimit. Kështu vlerësuan disa nga folësit, gjatë përurimit të këtij libri, të botuar nga njëra ndër libraritë më të mëdha në trojet shqiptare, “Altera” në Prizren.

Duke i bërë një vlerësim përmbajtjes së librit, Prof. Dr. Bedri Muhadri, në cilësinë e recensentit, tha se autori Qazim Morina, përmes shkrimeve koncize dhe mjaft profesionale të një gazetari, ka arritur të paraqesë disa nga zhvillimet kryesore të një prej periudhave më të lavdishme dhe të dhimbshme, nëpër të cilën kaloi Kosova, në dekadën e fundit të shekullit të kaluar.

“Përveç disa nga ngjarjet më të rëndësishme, siç janë formimi i shtabit të UÇK-së për Prizren, beteja e parë e UÇK-së në këtë komunë, është përshkruar edhe një nga krimet më makabre ndaj historisë dhe kulturës shqiptare nga forcat serbe, djegia e Muzeut të Lidhjes Shqiptare, në fund të marsit ‘99. Në këtë monografi është përfshirë edhe masakra në Krushë të Vogël, përfshirë edhe krimet e ngjashme në rajonin e Anadrinisë, pastaj luftimet në Vrri, shtetrrethimi e masakrat në rajonin e Hasit, beteja e përgjakshme mbi Korishë, e shumë ngjarje të tjera”, tha ai.

Sipas Muhadrit, pos ngjarjeve nga lufta, në librin “Ngjarjet e lavdisë” janë paraqitur edhe rastet e helmimeve misterioze të nxënësve shqiptarë të trajtuar në Spitalin e Prizrenit, pastaj mobilizimi i prizrenasve për mbijetesën e arsimit shqip në të ashtuquajtura shtëpitë-shkolla, ndihma shëndetësore nga ambulancat e shoqatës humanitare “Nëna Terezë”. Po ashtu është shkruar për largimin e kuadrit shëndetësorë shqiptarë nga Spitali i Prizrenit, dhe më pas organizimin e tyre  sindikal, duke ardhur deri tek organizmi i  protestave të studentëve të UPS të ish-SHLP-së së Prizrenit, dhe burgosjen e tyre.

Pos një numri të artdashësve, të krijuesve, pastaj veprimtarëve, anëtarëve të Kuvendit Komunal, si dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme, në ceremoninë e përurimit të librit, mori pjesë edhe kryetari sapozgjedhur i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj. Ai vlerësoi se ky libër i shkruar më një stil dhe nga një vrojtues i kujdesshëm i atyre ngjarjeve, do të shërbejë edhe si një burim informacioni për gjeneratat e reja.

Veprimtari e ish i burgosuri politik, Prof. Dr. Kadri Kryeziu, në fjalën e tij kujtoi momente nga ngjarje historike të asaj kohe, duke thënë se disa prej tyre me mjeshtrinë e shkrimeve të një gazetari janë dokumentuar nga Qazim Morina, i cili ishte pjesë e shumë prej zhvillimeve politike, shëndetësore, kulturore dhe sportive.

Avokati i njohur prizrenas, i angazhuar edhe në proceset gjyqësore në Gjykatën e Hagës, Taulant Hodaj, vlerësoi se në mungesë të dokumentimit të provave, Kosova është përballur me pamundësinë për ngritjen e padive për shumë nga krimet e luftës të bëra gjatë luftës nga forcat serbe. Sipas tij libri i Qazim Morinës, që pos tjerash është një lloj dokumentimi për disa nga krimet në Komunën e Prizrenit, sadopak plotëson një zbrazëti të deritashme.

Në librin “Ngjarjet e lavdisë” bëhet fjalë edhe për veprimtarinë dhe rënien e Heroit të Kosovës, Remzi Ademaj-Komandant “Petriti”, pastaj veprimtarinë e Komandant “Drinit”, si vrasjen misterioze të tij, heronjtë Ismail Kryeziun, Zenun Coçaj, si dhe veprimtarin e pajtimtarin, Bajram Kurti.

Autori Qazim Morina, tha se për shumë nga ngjarjet e viteve të 90-ta, i ka kujtimet e freskëta dhe se duke rishkruar disa prej më të rëndësishmeve është kthyer në kohë. “Pikërisht, atëherë  edhe e kam filluar punën si gazetar, ku profesioni bëri të jem pjesë e shumë ngjarjeve të kohës. Për këtë e kam ndier si obligim profesional dhe moral, që për disa nga këto ngjarje, aq sa edhe lejohet në kornizat e një shkrimi gazetaresk, t’i përmbledh në një libër”, tha ai.

Morina më tej tha se përkundër që ishte pjesë e shumë ngjarjeve, gjatë pasqyrimit të tyre është munduar që sa më shumë t’i shmanget emocioneve, duke ia lënë vendin anës profesionale.

Për disa nga këto ngjarje ka pasur shkrime, por Morina tha se është munduar të jetë gjithëpërfshirës, në ngjarjet më kryesore, të cilat kanë ndodhur në Komunën e Prizrenit, duke qenë i vetëdijshëm se për secilën edhe mund të shkruhet libër i veçantë e mund të bëhet edhe film dokumentar, pasi ekzistojnë materiale të bollshme.

Morina ka thënë se përpjekja  e tij është një pikënisje, që ato zhvillime të paraqiten përmes shkrimeve gazetareske, por që me siguri  me këtë periudhë të lavdishme, do të merren njohësit e fushës dhe historianët.

Sipas autorit, libri “Ngjarjet e lavdisë” synon të jetë një kontribut modest në dokumentimin e ngjarjeve të vuajtjes dhe krenarisë, dhe se e gjithë kjo në shenjë mirënjohjeje për aktivistët (politikë, humanitarë, kulturorë dhe sportiv) si dhe luftëtarët e lirisë, për kontributin e tyre në periudhën më të vështirë, nëpër të cilën kaloi vendi ynë, për të ardhur deri te liria e shumëpritur.

Një shije të hollë artistike, kësaj ceremonie ia dha gazetarja e prezantuesja e njohur kosovare, Alketa Gashi, e cila mjeshtërisht lexoi disa nga fragmentet e librit.

Libri ka 179  faqe, ndërsa është i ilustruar edhe me fotografi të asaj periudhe.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.