23-11-2024

Në Rahovec filluan aktivitetet për shënimin e “Epopesë së korrikut 1998”

Në organizim të Komunës së Rahovecit dhe shoqatave të dala nga UÇK, dega në Rahovec, sot kanë filluar aktivitetet për shënimin e “Epopesë së korrikut 1998”. Aktivitetet kanë filluar me bërjen e homazheve nga Kryetari Smajl Latifi, pastaj nga bashkë punë torë t e tij, familjarë  dhe bashkëluftëtar të dëshmorëve tek vendi i betejës tek përmendorja e dëshmorëve në fshatin Fortesë.

Në qendrën e kulturës “Mensur Zyberaj”,në Rahovec është mbajtur Akademi përkujtimore dhe është shfaqur premiera e filmit dokumentar “Agimi i lirisë”, kushtuar dëshmorit Agim Kelmendi, në 20-vjetorin e rënies.

Në fjalën e mbajtur në akademinë përkujtimore, Latifi ka thënë se hyrja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rahovec është ndër kapitujt e historisë tonë kombëtare që i dha dimensione të reja luftës për çlirim. Rahoveci tha se ishte arterie e veçantë e luftës së UÇK-së, jo vetëm për pozitën gjeografike por edhe për gatishmërinë e popullit të kësaj ane për të qenë pjesë aktive e luftës për çlirim.

“Që nga dalja e UÇK-së në skenën e luftës më 26 prill 1998 dhe në vazhdimësi u zhvilluan ngjarje të bujshme që i dhanë jehonë luftës. Djemtë e vajzat e Rahovecit me rrethinë u vunë në ballë të furtunës, sepse kjo zonë gjithmonë i ka dhënë luftëtarë e heronj kombit tonë. Të kesh në ballë të luftës heronj si Toni e Mici, Avdullahu e Gëzimi, Mizahiri e Bekimi, si dhe shumë luftëtarë të përkushtuar e të gatshëm të flijohen për lirinë, është nder e krenari e veçantë për ne.

Beteja për Rahovecin ishte betejë urbane që ngërthente rreziqet e veta, mirëpo është një luftë legjitime e një populli të pushtuar që kërkon të lirohet nga vargonjtë e robërisë. Kjo betejë e përgjakshme i dha dimensione të reja luftës tonë çlirimtare dhe na bëri të reflektojmë më mirë. Ofensiva e ashpër e armikut na dha të kuptojmë edhe një herë se deri tek fitorja do të duhen edhe shumë sakrifica, por nuk e topiti vullnetin tonë liridashës.

Djemtë e Rahovecit në atë kohë nuk luftuan vetëm. Në ndihmë erdhën luftëtarë nga të gjitha zonat e Kosovës, madje edhe nga Shkodra erdhi Arian Brahimi, i cili ia dha emrin kodrës ku luftoi e qëndroi me shokët deri në fishekun e fundit. Mirëpo, në Fortesë dolën në vijën e parë të luftimeve burrat e djemtë e këtij fshati dhe të tjerë luftëtarë nga e gjithë zona e kontrolluar nga UÇK në atë kohë. Ishte Agim Kelmendi, luftëtari i orëve të para që me heroizëm i ndaloi forcat ushtarake, policore e paraushtarake serbe të depërtojnë në Rahovec.

Pikërisht sot në 20-vjetorin e rënies së tij jemi sot këtu për t’ia hedhur një shikim rrugës heroike të këtij çlirimtari. Rruga jetësore e Agimit është kapitull i një jete me mundime e përpjekje deri në vetëmohim të një ilegali e luftëtari tipik. Agimi është ndër të parët që ra në fushë të nderit, duke hyrë në përjetësi bashkë me komandant Gani Paçarizin dhe bashkëluftëtarin Tafil Zyberaj.

Përgëzoj autorët e këtij filmi dokumentar, duke besuar se përmendore të këtilla do të vazhdojnë të ngrihen për dëshmorët, ngase kjo është rruga jonë e vështirë e tragjike, por edhe heroike njëkohësisht. Në cilësinë time zyrtare por edhe si bashkëluftëtar i dëshmorëve do të vazhdoj të mbështes çdo nismë që hedh dritë mbi jetën dhe veprat e dëshmorëve, sepse këtë e kemi obligim institucionale e moral.

Kjo tokë është e mbushur me varre e përmendore të dëshmorëve dhe është e larë me gjakun e shumë brezave, prandaj natyrshëm kemi arsye t’ju jemi borxhlinj të gjithë atyre që u flijuan për këtë tokë të shtrenjtë”, ka thënë në fjalën e tij Latifi.

Në emër të familjes Kelmendi, fjalën e mori Halim Kelmendi, vëlla dhe bashkëluftëtar i dëshmorit Agim Kelmendi, i cili më këtë rast i ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në akademi, dhe ata të cilët kanë bërë të mundur përgatitjen e dokumentarit “Agimi i lirisë”.

Aktivitetet do të vazhdojnë, nesë r sipas kësaj agjende në ora 9:30 – Homazhe dhe zbulimi i përmendores së rindërtuar të dëshmorëve në rrugën “UÇK” (transiti Rahovec-Malishevë) kurse nga ora 11:00- Akademi përkujtimore për dëshmorin Hamdi Berisha, në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.