20-04-2024

Në territorin e Prizrenit themelohen 3 vendgjueti të përbashkëta

Organet komunale të Prizrenit kanë miratuar vendimin për rithemelimin e vendgjuetive të përbashkëta.

Kësisoj në vend të 5 vendgjuetive që ishin caktuar në vitin 2011, me vendimin e aprovuar në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës janë krijuar 3 sosh.

Këshilltarët opozitarë, veçanërisht nga radhët e PDK-së kanë kundërshtuar rithemelimin e vendgjuetive të përbashkëta, ndërkohë që ata të koalicionit qeverisës e kanë cilësuar si veprim të domosdoshëm për mbrojtjen e faunës në malet e territorit të Komunës së Prizrenit, shkruan sot Koha Ditore.

Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Prizrenit, Egzon Elshani, ka sqaruar se ekziston një vendim i Inspektoratit qendror të pylltarisë dhe gjuetisë, i cili detyron Komunën e Prizrenit për rithemelimin e vendgjuetive.

Simir Krasniqi i PDK-së ka theksuar se grupi i këshilltarëve të këtij subjekti politik kundërshtojnë propozimin e Ekzekutivit për themelimin e vendgjuetive të përbashkëta në territorin e Komunës së Prizrenit, pasi që konsiderojnë se “shoqata të pandërgjegjshme janë duke e shkatërruar çdo ditë e më shumë faunën dhe speciet e rrezikuara me ligj”. Por kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi, ka vlerësuar se pikërisht për mbrojtjen e kafshëve duhet të themelohen vendgjuetitë e përbashkëta.

Getoar Besimi i PDK-së ka theksuar se vendgjuetia Koretniku, Sharri 1 dhe Sharri 2 janë përfshirë edhe në zonat e Parkut Nacional dhe se “rrjedhimisht bien në kundërshtim me Ligjin për Planifikim Hapësinor dhe Parkun Nacional ‘Sharri’”.

KK-ja me shumicë të thjeshtë të votave ka miratuar vendimin për rithemelimin e vendgjuetive të përbashkëta në territorin e Komunës së Prizrenit, duke autorizuar Ekzekutivin që të zbatojë procedurat përkatëse për funksionalizimin e tyre, por vetëm pas konfirmimit ligjor nga MAPL-ja.

Asnjë koment

Comments are closed.