19-04-2024

Në tetor nis largimi i ushtarëve gjerman të KFOR-it nga Prizreni

Pas një qëndrimi prej gati dy dekadash në Prizren, në fillim të tetorit nis largimi i ushtarakëve gjerman të KFOR-it nga kampi i tyre në këtë qytet, por Gjermania ka premtuar edhe më tej kontributin e saj për një mjedis të sigurt në Kosovë, tashmë për FSK-në,  shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Këtë vit përfundon përdorimi i Kampit Fushor nga ana e ushtarakëve gjerman, të cilët misionin e tyre e kryejnë në kuadër të Trupave Paqeruajtëse të NATO-së.

Oficerja për media pranë Kontingjentit gjerman të KFOR-it, në Kampin Fushor-Prizren, Denise Alten, konfirmoi se në fillim të vitit 2019,  kampi do t’i dorëzohet së pari UNMIK-ut dhe pastaj shtetit të Kosovës. “Që në fillim të tetorit 2018 do të pasojë largimi i forcave gjermane nga Prizreni. Në kuadër të një ceremonie publike, në formë simbolike do të bëhet  edhe dorëzimi i kampit”, ka thënë ajo për portalin “GazetaePrizrenit.net”.

Misioni i ushtarëve gjermanë në Kosovë është aktualisht më i gjati dhe ka filluar para 19 vitesh ( nga 12 qershori 1999, pas tërheqjes nga Kosova të trupave serbe). Në kudër të KFOR-it, Gjermania më 1999 përbënte pjesëmarrjen e dytë me të madhe me 6.500 ushtarë në Kosovë, numër ky që është zvogëluar gradualisht.

Gjermania redukton numrin e ushtarëve në Kosovë

Aktualisht gjenden rreth 360 ushtarë gjermanë në Kosovë. Ata janë të vendosur në Shtabin Kryesor të KFOR-it në Prishtinë, ndërsa pjesa më e madhe në Prizren. “Një intervenim i forcave të KFOR-it nuk ka qenë i nevojshëm në vitet e shkuara dhe aktualisht edhe nuk pritet në të ardhmen. Republika Federale e Gjermanisë ka vendosur në harmoni me strategjinë e NATO-s dhe në përputhje me partnerët e saj ndërkombëtarë të NATO-s që ta zvogëlojë edhe më tutje kontributin e Bundesëehr-it në misionin e KFOR-it deri në fund të 2018”, ka thënë togerja Alten.

Kampi i deritashëm i KFOR-it gjerman është planifikuar që më tutje të shfrytëzohet si „Park inovacioni dhe trajnimi“.

Ndryshe pjesëtarët gjerman të KFOR-it kanë dhënë një kontribut të çmueshëm në rajonin e  Prizrenit,  jo vetëm në kontekstin e sigurisë, pas largimit të forcave serbe, por ata kanë ndihmuar edhe në krijimin e kushteve për kthimin e popullatës së shpërngulur në Shqipëri dhe gjetiu, si pasojë e luftës.

Kontributi i tyre nuk harrohet edhe sa i përket ndihmës në strehim, ushqim dhe ofrimin e ndihmës mjekësore, gjatë fazës emergjente dhënë popullatës së këtushme.

Përkundër largimit, pas 19 vjetësh, paqeruajtësit gjerman kanë premtuar edhe më tej ndihmën e tyre. Togerja Alten ka thënë se Gjermania, edhe pas dorëzimit të Kampit Fushor në Prizren, do të japë një kontribut të vazhdueshëm për një ambient të sigurt në Kosovë. “Gjermania do të përqendrohet në të ardhmen në bazën në Prishtinë dhe do ta përkrah zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK)”,tha ajo.

Drejtues të kontingjenteve gjermane të KFOR-it në Prizren, gjatë ceremonive të ndërrimit të komandës,  disa herë kanë vlerësuar lidhjen e ngushtë miqësore të vendësve me ushtarët.

Ndryshe ushtarakët gjerman largohen nga rajoni i Prizrenit, duke lënë pas një kontribut të madh, përfshirë edhe ndihmën në shëndetësi dhe infrastrukturën arsimore. Përshtypjet për ta, që janë ndër më të mirat, do të mbeten gjatë në kujtesën e prizrenasve./GazetaePrizrenit.net/

Rezultate imazhesh për clirimi i prizrenit

Sqarim: Fotot janë marrë nga interneti

 

Asnjë koment

Comments are closed.