Nënkampionet ballkanike nga Banja e Malishevës, priten si heroina në vendlindje
Ekipi i volejbollit për femra U-15, nga Banja e Malishevës, janë pritur si heroina në vendlindjen e tyre, pas suksesit të treguar në Kampionatin ballkanik, të mbajtur në Shkup, ku ato u shpallën nënkampione. Për t’i pritur pas kthimit nga Shkupi, kishin dalë strukturat më të larta komunale të Malishevës, të prirë nga kryetari Begaj, nënkryetari Berisha, drejtoresha e sportit Kryeziu-Ramaj, Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, arsimtarët e SHFMU “17 Shkurti” nga Banja, prindër e qytetarët të shumtë, të cilët i kanë uruar për suksesin e treguar.
“Na keni bërë të ndihemi mirë dhe krenar me juve. Nga një vend i vogël, nga një shkollë e re, u arrit ky rezultat i jashtëzakonshëm, dhe unë në emrin tim dhe në emër të Komunës, ju përgëzoj dhe ju uroj për këtë sukses të treguar, juve vajza dhe trajnerin tuaj Liridon Telaku”, tha mes tjerash kryetari Begaj, në pritjen e organizuar në Banjë.
Ai tha se ato e kanë merituar, pasi kanë punuar shumë. “Ashtu siç keni arritur këtë rezultat, ashtu mund të arrini në të gjitha fushat. Ju na bëtë krenarë neve Malishevën, ju e përfaqësuat Kosovën në mënyrën më të mirë”,tha Begaj.
Krahas shumë urimeve për suksesin e treguar dhe për përfaqësimin e Kosovës në këto gara në nivel të rajonit të Ballkanit, ekipin e volejbollit, e ka uruar edhe kryetari i Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës, Ardian Telaku. “Nga data 7-10 qershor ishim dëshmitar të asaj se çka mundet të bëhet nga një vend i vogël, por me punë dhe me vullnet. Faleminderit vajza të SHMU “17 Shkurti”, për të gjithë atë çka prezantuat, urime trajner Liridon Telaku, urime Malishevë, urime Kosovë, respekt për punën tuaj”, tha Ardian Telaku, kryetar i Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës.
Ekipet nga Malisheva, kanë treguar rezultate të jashtëzakonshme, në garat shkollore të organizuara nga Federata e Sportit Shkollor të Kosovës, duke zënë disa nga vendet e para në nivel regjional dhe në nivel vendi, sidomos në sportin e volejbollit dhe e gjithë kjo punë, është kurorëzuar me shpalljen nënkampion në nivel të Rajonit të Ballkanit, në kampionatin e mbajtur në Shkup të Maqedonisë.