Nesër fillon mësimi, ministrja Nagavci jep informacione për përgatitjet
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci përmes një postimi në rrjetin e saj social Facebook ka thënë se janë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e vitit të ri shkollor nesër.
Ajo ka thënë se mbi 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar, më shumë se 65% prej tyre me të dy dozat.
Megjithatë, Nagavci ka shkruar se përkundër progresit në vaksinimin e popullsisë, e në veçanti të punonjësve të arsimit, ky vit shkollor mund të jetë shumë sfidues.
Shkrimi i saj i plotë:
Nesër fillon viti i ri shkollor.
Kam vizituar gjatë gjithë kësaj kohe shumë shkolla dhe kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me drejtues shkollash, mësues e prindër. Ndonse situata me pandeminë na ka sjell në një gjendje të vështirë e me shumë sfida, janë bërë pregatitjet e duhura për të filluar vitin e ri shkollor.
Mbi 90% e mësimdhënësve dhe stafit tjetër që punon në shkolla janë vaksinuar, më shumë se 65% prej tyre me të dy dozat.
Përkundër progresit në vaksinimin e popullsisë, e në veçanti të punonjësve të arsimit, ky vit shkollor mund të jetë shumë sfidues. Prandaj është e domosdoshme të respektohen masat mbrojtëse të rekomanduara nga profesionistët shëndetësor. Kjo është mënyra më e mirë për të vënë nën kontroll pandeminë, duke i kontribuar mbarëvajtjes së procesit mësimor dhe ruajtjes së shëndetit publik.
Mësuesit e drejtuesit e shkollave kanë shumë punë e përgjegjësi, por jam e bindur se angazhimi dhe kujdesi i tyre nuk do të mungojë. Vaksinimi, respektimi i masave si dhe bashkëpunimi në të gjitha nivelet dhe me prindërit do të na mundësojë një vit të suksesshëm shkollor.