Nesër në Rahovec protestohet për drejtësi në rastin e Antigona Morinës
Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), nesër në ora 10:00 ,organizon protestë para objektit të Gjykatës në Rahovec, për të kërkuar drejtësi për Antigona Morinën.
Në njoftimin e RrGK thuhet se përmes kësaj proteste kërkohet urgjentisht reagim adekuat nga Gjykata Themelore në Rahovec për rastin e të ndjerës Morina dhe dënim meritor për shkaktarin e vdekjes së saj, Hilmi Zenën.
I njëjti ishte shpallur i pafajshëm nga po kjo gjykatë, ndërsa ankesa e bërë nga Prokuroria pas atij vendimi ishte zhdukur nga zyrtarët në Gjykatën Themelore në Rahovec.
RrGK kërkon nga drejtësia kosovare llogaridhënie dhe seriozitet në trajtimin e këtij rasti, por edhe të rasteve tjera të ngjashme.
“Ju rikujtojmë që e ndjera kishte vdekur 6 vite më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës. Atëkohë bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, ka përkeqësuar gjendjen e saj duke vazhduar marrëdhëniet seksuale me të”, thuhet më në këtë reagim.