05-10-2024

Nesër shënohet 25 vjetori i funksionimit të Komunës së Prizrenit pas luftës

Me një solemnitet rasti, të mërkurën do të shënohet 25 vjetor i themelimit dhe funksionimit të Komunës së Prizrenit, të parit institucion që nisi punën në Kosovën e çliruar nga pushtimi serb, raporton “Gazeta e Prizrenit”.

Në ceremoninë që mbahet në sallën e Kuvendit Komunal, me fillim në ora 14:00, do të jenë udhëheqësit më të lartë të asaj kohe, ish-drejtorë komunal, pastaj shërbyes civilë, si dhe gazetarë të cilët e kanë mbështetur funksionimin e institucionit më të lartë lokal.

Organizatoret njoftuan se në mesin e të ftuarave është edhe Ramë Buja, ish-ministër i Pushtetit Lokal. Një fjalë rasti do ta mbajë ish-kryetari i Këshillit Komunal, Kadri Kryeziu, ndërsa drejtoret dhe stafi mbështetës do të nderohen me mirënjohje.

Këshilli Komunal (KK) në Prizren filloi punën me 15 qershor 1999. Në krye të tij, nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës u emërua Kadri Kryeziu, ish i  burgosur politik, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare dhe pjesëmarrës i luftës së UÇK-së, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.

Prizreni ka qenë qyteti i parë në Kosovë, ku pas përfundimit të luftës filloi të funksionojë pushteti lokal.  Nga 15 qershori, Komuna, që kishte 13 drejtori dhe 25 sektorë udhëhoqi jetën institucionale në këtë pjesë të Kosovës.

/ GazetaePrizrenit.net /

Lexo edhe:

Si nisi punën Komuna e Prizrenit pas luftës, më 1999? (foto)

Asnjë koment

Comments are closed.