27-07-2024

Si nisi punën Komuna e Prizrenit pas luftës, më 1999? (foto)

Këshilli Komunal (KK) në Prizren filloi punën me 15 qershor 1999.  Në krye të tij, nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës u emërua Kadri Kryeziu, ish i  burgosur politik, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare dhe pjesëmarrës i luftës së UÇK-së, shkruan sot “gazetaeprizrenit.net”.

 

Prizreni ka qenë qyteti i parë në Kosovë, ku pas përfundimit të luftës filloi të funksionojë pushteti lokal.  Nga 15 qershori, Komuna, që kishte 13 drejtori dhe 25 sektorë udhëhoqi jetën institucionale në Prizren.

 

Duke kujtuar momentet e fillimit të punës në Komunë,  Kadri Kryeziu, thotë se fillimisht është kërkuar nga njësitet deminuese të UÇK-së që të bëjnë një kontroll të hollësishëm nga mjetet eventuale shpërthyese në objekt, pas largimit të administratës serbe.  Ai tregon se kur kishte hyrë në zyrë,  kishte hasur në fotot e Milosheviqit,  një xhemper femre dhe një çantë të kozmetikës.

Lidhja e Prizrenit, pas djegies nga forcat serbe, 27 mars 1999.

 

Kadri Kryeziu,  që ka mbetur në histori,  si i pari kryetar pas luftës, kujton se fillimisht dimension kryesor i punës së Këshillit ishte përkujdesja për nevojat elementare të jetës së qytetarëve.  “Çështja e parë që kam bërë pasi kam marrë detyrën ishte urdhëresa për formimin e Drejtorisë së Emergjencës, ndërsa Masar Shalën (tashmë të ndjerë) e emërova drejtor të saj”,  thotë Kryeziu.

Ai tregon se ka pasur shumë qytetarë, të cilët shkonin në komunë për të raportuar familjarët e zhdukur, djegien e shtëpive dhe kërkesat për vendstrehim për shkak të shkatërrimit të pasurisë.

Shtëpi e djegur në lagjen Tusuz

 

Kryetari i porsaemëruar priti shumë delegacione, përfshirë ata të UÇK -së, Qeverisë së Përkohshme, kryetar komunash të Kosovës, autoritet nga Shqipëria, delegacione e gazetarë ndërkombëtar, përfaqësueses të organizatave ndërkombëtare, etj.

 

Veprimtari Bashkim Gashi, kujton se me 15 qershor, kryetari Kadri Kryeziu me bashkëpunëtorët e tij vizituan spitalin e Prizrenit, ku nga profesionistët shëndetësor u njoftuan se puna në këtë institucion, pas largimit të administratës së instaluar serbe,  ishte rikthyer në binarët normal.

 

Ishte bërë një mobilizim nga të gjithë për t’i dalë në ndihmë pacientëve të shumtë, ndërkaq kryetari  Kryeziu u shprehu mirënjohje,  për punën dhe gatishmërinë e treguar.

 

Më këtë rast kryetari me bashkëpunëtorët vizituan pacientët në çdo dhomë. Duke u përshëndetur me ta, ai ua uronte lirinë, si dhe interesohej për nevojat e tyre të tretmanit.

Monumenti kushtuar NATO-së në “Bazhdarhane”, propozuar nga Masar Shala

 

Bashkim Gashi, kujton si shumë emocionuese kontaktet e kryetarit me të plagosurit e UÇK-së, që ishin impresionuar nga vizita e menjëhershme e kryetarit dhe interesimi i sinqertë e vëllazëror i një autoriteti të luftës e tashmë drejtuesi institucional.

 

Në vitin 1989 është suprimuar autonomia e Kosovës dhe si pasojë u bë edhe largimi i punëtorëve shqiptarë, përfshirë edhe ata nga Kuvendi Komunal (KK)  i Prizrenit. Për shkak të kësaj shqiptarët filluan me organizimet e tyre paralele, ndaj regjimit të atëhershëm pushtues serb, të udhëhequr nga Milosheviqi./gazetaeprizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.