Malisheva nesër debuton në garat evropiane
Njëmend edhe ashtu do të dukej, një “ëndërr e madhe”, pasi Malisheva do të niste sezonin me qëllimin mbijetesën në Superligë, jo në luftë për një vend në Europë.
Një histori e veçantë. Një skenar që nuk do të mund të shkruhej as nga skenaristët më të mirë të Hollivudit. Një fund më i mirë sesa përrallat e Hans Kristian Andersenit.
Përtej çdo pritshmërie, Malisheva befasoi me lojën e bukur, të guximshme, duke mos u frikësuar nga asnjë kundërshtar.
Me në krye ‘arkitektin’ dhe ‘inxhinierin’ Qëndrim Kida, Malisheva ia shtroi vetës rrugën për në vendin e katërt në tabelë, pozicionimi më i lartë në historinë e klubit në Superligë.
Sigurisht, Kida nuk mund të ia dilte i vetëm pa “punëtorët” e tij të palodhshëm, por edhe pa magjinë e senzacionit kosovar, Drilon Hazrollajt.
Në fakt, çdo repart i formacionit startues të Malishevës ishin të uritur për sukses, dhe këtë e dëshmonin në fushën e lojës, me fitore të rëndësishme ndaj Dritës e Llapit, që ishin edhe konkurrentë për titull.
Për të arritur te suksesi nuk është edhe aq lehtë. Ka shumë pengesa rrugës, ka shumë ulje-ngritje, ka kthesa të ndryshme që të vështirësojnë rrugën.
Mirëpo, kjo nuk e pengoi Malishevën, që dëshira dhe ëndrra e madhe për sukses i mposhti të gjitha.
Malisheva, në fakt, s’e kishte të siguruar kalimin në Europë, edhe pse përfundonte në vendin e katërt në tabelë.
Kjo për faktin se vetëm 3 vendet e para dhe fituesi i Kupës e gjenin veten në kualifikimet për garat europiane.
Siç thonë, në futboll – përveç përgatitjes fizike, taktikës dhe strategjisë – të duhet edhe fati.
E fati kësaj here ishte me Malishevën.
Ishte 22 maji, ditë e mërkurë, luhet finalja e Kupës së Kosovës mes Ballkanit e Prishtinës.
Malisheva duhej të shpresonte në fitoren e Ballkanit, në mënyrë që të gëzohej dhe kualifikohej për në Europë.
Kjo ndeshje më shumë ishte ‘dërrmuese’ për tifozët e Malishevës sesa të Ballkanit ose Prishtinës.
Bëhej fjalë për fatin e një klubi të tretë, që ishte në duart e Ballkanit e Prishtinës. Kur të gjithë mendonin se Ballkani po shkonte drejt triumfit të parë në Kupën e Kosovës, pasi po avansonte 2-0, në skenë doli Albin Krasniqi që i prishi matematikat e malishevasve, që ishin të bindur për fitoren e “portokallezinjëve”.
Ndeshja përfundoi 2-2, dhe penaltitë do të ishin përcaktuese për fatin e tri klubeve, pasi edhe Prishtina me fitore do të siguronte plasmanin në Europë.
Ishte pikërisht Albin Krasniqi – ai që ia theu zemrat njëherë – që e gëzoi tërë Malishevën, pasi humbi penaltinë, dhe kështu Ballkani u shpallë kampion i Kupës, derisa Malisheva siguronte Europën.
Festë e madhe në Suharekë, por sigurisht, më e madhe në Malishevë, si në qytet, ashtu edhe në klub. Po shpërblehej një punë e madhe e bërë gjatë tërë sezonit.
Shorti i 18 qershorit e vendosi Malishevën përballë Buduçnostit të Malit të Zi.
Kundërshtar paksa i vështirë, duke llogaritur përvojën e tyre në Europë, mirëpo Malisheva duket e prirur të mos e lërë me aq.
Nesër, më 11 korrik, Malisheva pret në “Zahir Pajaziti” klubin malazez, me synimin fitoren e madhe në debutim, derisa ndeshja e kthimit luhet më 18 korrik në Podgoricë./ GSP