Ngjarje e rënda brenda familjes kosovare në Zvicër: Vjehrri vret renë!
Dje në të gjitha mediat zvicerane është raportuar për vrasjen e një gruaje të re, 24 vjeçe nga vjehrri i saj 56 vjeçar në Pratteln të Kantonit Baselland.
Sot merret vesh se si dorasi ashtu dhe viktima, janë shtetas të Kosovës.
Mediat zvicerane 20minuten dhe Blick, shkruajnë për përkatësinë kosovare të dy personave. Vjehrri dhe djali i tij 27 vjeç jetonin me të shoqen e këtij të fundit dhe me nipin 4 vjeçar deri një vit më parë, përcjell albinfo. Pastaj familja e re qe zhvendosur në shtëpinë e tyre, afër shtëpisë së babait dhe kanë ruajtur lidhjet e ngushta familjare. “Gjyshja shpesh kujdesej për djalin” thotë një fqinj.
Por, mbetet e paqartë përse kosovari 56 vjeçar e ka vrarë të renë dhe nënën e nipit.
Një përfaqësues i familjes ka thënë për blick.ch se “ai mund të ketë vepruar në vetëmbrojtje. Ndoshta nusja e ka sulmuar, pasi që edhe ai ishte plagosur, në dorë”.
Policia e Kantonit Bazel-Landschaft ka deklaruar se viktima është vrarë me thikë.
Sfondi i mosmarrëveshjes mund të ketë qenë divorci i planifikuar në mes të çiftit të ri. Djali i 56 vjeçarit kishte marrë fshehurazi një avokat për të bërë divorcin, thonë anëtarë të familjes.
Në momentin kur nusja ka marrë vesh për planin e të shoqit, ajo thuhet se ka shkuar te vjehrrat me djalin e saj dhe mund ta ketë fajësuar për problemet e saj martesore.
Mosmarrëveshja pastaj përfundimisht u përshkallëzua. Sipas përfaqësuesit të familjes, gjyshja e ka marrë djalin dhe ka ikur nga banesa kur ka filluar zënka pasi që djali nuk duhej të vëzhgonte situatën.
Gruaja e 56 vjeçarit dhe tre djemtë e tij tani kanë frikë nga gjakmarrja, shpjegon përfaqësuesi i familjes”.
Lagjja është në gjendje shoku. Aty personi tashmë i dyshuar për vrasje njihet si një njeri i sjellshëm dhe i dobishëm.
“Unë mund të shpresoj vetëm se ishte vërtet vetëmbrojtje”, thotë njëri ndër fqinjët.