22-08-2026

Ngrihet aktakuzë ndaj burrit që kërcënoi kryeprokurorin e Prizrenit dhe tre policë

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Egzon Reshanit, për kryerjen e veprës penale “Kanosja”.

Sipas Prokurorisë, Reshani më 15 prill 2026, përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë në Facebook, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të frikës dhe pasigurisë, ka kanosur seriozisht kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të dëmtuarin Petrit Kryeziu.

“Hajde more se live jom more Petrit p… hajde live jom, hajde kapum, ti je msuu me kape fëmijë o shok, me i kapë fëmijët në flagrancë, mu jo, unë ta q. familjen”, është një nga shprehjet që kishte përdorur ndaj të dëmtuarit Kryeziu.

 
Ai gjithashtu ngarkohet se ka kanosur edhe tre zyrtarë policorë, Xhavit Berishën, Fitim Haxhifazliun dhe Tafil Gashin, të cilët kishin ndërmarrë veprime zyrtare në procedurat penale ndaj tij.

Sipas aktakuzës, Reshani ka ofenduar dhe kërcënuar të dëmtuarit dhe familjarët e tyre, ndër të tjera, duke deklaruar se do t’i vriste zyrtarët policorë.

“Do t’ju korri me kallash”, “Kam me ju vra ose keni me më vra, mirëpo në dorë i gjallë nuk ju bi” dhe “Fëmijët ka me ja nxan peng” janë disa nga shprehjet që Reshani kishte përdorur ndaj policëve.

 

Me këto veprime, Reshani dyshohet se ka shkaktuar ndjenjë frike dhe pasigurie për jetën, integritetin fizik dhe sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre, andaj ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 3, lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

Si rrethana rënduese, Prokuroria ka propozuar intensitetin e kanosjeve, përmendjen konkrete të përdorimit të armës së zjarrit, përfshirjen e familjarëve të të dëmtuarve, mënyrën publike të komunikimit të kanosjeve, si dhe faktin se i pandehuri ka qenë i dënuar për vepra të ngjashme dhe më të rënda penale.

Si rrethana lehtësuese, Prokuroria ka propozuar pendimin dhe keqardhjen e shprehur, pranimin e fajësisë dhe bashkëpunimin gjatë procedurës.

Ndryshe, Reshani gjendet në paraburgim nën dyshimin se ka kryer edhe katër vepra të tjera penale. /INS

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.