Ngrohtë, frymë dhe ajër i rëndë sot në Prizren, pasojë e pluhurit të ardhur nga Afrika
Në disa qytete të Kosovës, përfshirë edhe Prizrenin, sot është vërejtur një vapë dhe ndotje e ajrit më e madhe sesa ditëve të kaluara.
Referuar një njoftimi nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës kjo gjendje ka ardhur për shkak të ndikimin e masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore, transmeton Gazeta e Prizrenit.
Ndërkohë që në Prizren, vala e një të nxehti të pazakontë për këtë kohë, po shoqërohet edhe me frymë.
Njoftimi:
Gjatë ditës së sotme është vërejtur situatë e rënduar e cilësisë së ajrit në mënyrë të veçantë për Grimcat e Pluhurit PM2.5 dhe PM10, në disa stacione matëse të menaxhuara nga Instituti Hidrometeorologjike i Kosovës. Gjendje e rënduar e cilësisë së ajrit për parametrat PM2.5 dhe PM10 është regjistruar në stacionet në Prishtinë (IHMK dhe Rilindja), Prizren, Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë.
AMMK sqaron opinionin e gjerë se kjo situatë ka ardhur si rezultat i kushteve aktuale meteorologjike në të cilat ndodhet vendi ynë. Sipas të dhënave meteorologjike të IHMK, Kosova aktualisht është nën ndikimin e masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore. Pluhuri i ardhur nga Sahara në Evropë që ka përfshirë edhe Kosovën ka ndikuar në rritjen e vlerave të grimcave të pluhurit.
Bartja e pluhurit dhe grimcave të vogla të rërës nga Sahara, është një fenomen që përfshinë shpesh Evropën dhe që manifestohet kryesisht me praninë e grimcave të pluhurit në ajër./GazetaePrizrenit.net