23-02-2020

Nijazi Kryeziu thotë se ndihet i ofenduar dhe i fyer për aktakuzën në rastin “Pronto”

Këtë deklaratë, ai e ka dhënë në seancën e së hënës, në rastin “Pronto”, në të cilin po akuzohen ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti, dhe tetë të akuzuar të tjerët, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Tri gjëra do të mbesin në memorien time, e para se organi i akuzës atë që ka pretenduar nuk përputhet dhe tri gjera që i kam dëgjuar me veshët e mijë. E para, prokuroria ka deklaruar se i kemi marrë provat në mënyrë të jashtëligjshme për shkak të presionit publik. E dyta se s’kam pasur kompetencë për të përmbushë ligjin, kanë shkelur ligjin. Dhe, e treta, që e kam ndjerë veten të ofenduar dhe të fyer që unë as mos me ndje vetën si qytetar i Republikës së Kosovës është kur prokurorja ka pyetur dëshmitarët se jeni anëtar i PDK-së. Më vjen marre për aktivitetet që i kam bërë në Republikën e Kosovës”, ka thënë i akuzuari Nijazi Kryeziu.

Kurse, mbrojtësi i Nijazi Kryeziut, avokati Kujtim Kërveshi ka thënë se prokuroria kualifikimi juridik të veprës penale e kishte bërë qëllimisht për t’i shpëtuar parashkrimit absolut.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës kishte nevojë që të ketë aktakuza të qëndrueshme dhe se rasti më i mirë ishte kjo aktakuzë.

“Unë e mbroj një shok timin të vjetër e për qata jam këtu se e njoh personalisht që moti për shkak se ai është atakuar sepse emri i tij dhe zëri është përfolur ne një medium, e nuk janë akuzuar dhe thirr me u dëgju edhe të tjerët që janë përfolur e ju ka ndi zanat në ato përgjime, janë marrë të gjitha përmes transkriptimeve në media, edhe gabimet se qysh gazetari e ka ni keq se çka po folin”, ka thënë avokati Kërveshi.

Ai tha se prokuroria nuk kishte mundur të vërtetojë se cilën marrëveshje e kishin lidhur të akuzuarit, ku e kishin nënshkruar, pasi sipas tij, prokuroria në seancën e dytë kishte deklaruar se të akuzuarit nuk kishin pasur kurrfarë kompetencë për punët që i kishin bërë.

“E për çfarë është z.Kryeziu këtu para jush, për mungesë kompetencë a? Si ndodhi që kurrë ligji për ndërmarrje publike prej prokurorit nuk është trajtuar, çfarë detyre zyrtare paska pas? Asnjo, z.Kryeziu s’ka pasur detyrë zyrtare”, ka thënë ai.

Ai tha se ndihet i ofenduar si taksapagues, pasi sipas tij, për këtë lëndë nuk kishte punuar vet një prokurori, por një ekip i prokurorëve.

“Aktgjykimi juaj duhet me dhanë një mësim për barazinë para ligjit, nëse prokurorisë i ngutet me ushtru aktakuza me apo pa presion dhe shkel e shko i përgatitë ato duhet me dhënë leksion prokurorisë se para gjykatës jemi të barabartë, prandaj në mungesë të provave kërkojë që të mbrojturit tim ta lironi nga kjo aktakuzë”, ka thënë në fund avokati Kërveshi.

Ndryshe, në maj të këtij viti, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës, duke e lënë kështu në fuqi aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit, në aktvendimin e kundërshtuar, gjykata e shkallës së parë, ka dhënë në mënyrë të mjaftueshme për këtë fazë të procedurës penale, arsye lidhur me dyshimin e bazuar mirë, rreth provave të kundërshtuara, dhe se drejt ka vërtetuar se ekzistojnë prova të mjaftueshme të pranueshme në aspektin ligjor-procedural, për të vazhduar më tutje. Sipas Apelit, se a do të vërtetohet fajësia e tyre, mbetet të shqyrtohet gjatë fazave të ardhshme të procedurës penale dhe shqyrtimit kryesor të çështjes, e që në këtë fazë të procedurës penale fajësia nuk mund të supozohet as nga gjykata, e as nga palët.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 3 prill 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Adem Grabovcit, Besim Beqajt, Zenun Pajazitit dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, pasi që kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ndryshe, në seancën që ishte mbajtur më 4 shkurt 2019, mbrojtja e të akuzuarve Adem Grabovci, Besim Beqaj, Zenun Pajaziti dhe të tjerëve në rastin e njohur “Pronto”, e kishte kundërshtuar aktakuzën.

Kurse, në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Në mesin e 11 të akuzuarve janë, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, deputeti aktual i PDK-së, Zenun Pajaziti, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, ish-shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti, ish-sekretari i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, ish-zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj, ish-këshilltari politik në MPB, Sedat Gashi, Ismet Neziraj, Xhavit Dakaj dhe Rexhë Abazi.

Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK-së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. Në aktakuzë është trajtuar çështja penale e punësimeve dhe ndarjes së posteve, të bazuara në përkatësinë partiake dhe raporte personale, për të cilin problem për një kohë të gjatë alarmojnë qytetarët e Kosovës, Agjencitë për zbatimin e ligjit si dhe mediat dhe shoqëria civile.

Ky rast ishte publikuar nga mediat publike, duke zbuluar veprimet dhe metodat e punësimit brenda grupeve të ngushta interesi, në bazë të së cilës është nisur hetimi i prokurorisë, i cili rezultoi me ngritjen e aktakuzës.

Kjo vepër për të cilën akuzohen këta zyrtarë dhe ish-zyrtarë, sipas nenit 193, paragrafit 4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është e dënueshme prej 6 muaj deri në 5 vjet burgim. Protagonisti kryesor i asaj që është quajtur si “Afera Pronto”, ka qenë ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci.

Në vitin 2011, për herë të parë ishin publikuar në media bisedat nga disa përgjime të EULEX-it, e ku Grabovci dëgjohej duke biseduar ndër të tjerash edhe me presidentin aktual Hashim Thaçin, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe persona të tjerë të politikës, kryesisht të PDK-së.

Grabovci në atë kohë ishte duke u hetuar nga ana e EULEX-it për vepra korruptive në cilësinë e zëvendësministrit të Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, mirëpo këto hetime ndaj tij ishin mbyllur në mungesë të provave.

Në këto përgjime që përfshijnë një periudhë prej dy muajve, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci dhe bashkëbiseduesit e tij, mes të cilëve edhe ministri aktual Besim Beqaj, deputeti i PDK-së, Zenun Pajaziti dhe disa persona tjerë, dëgjohen duke diskuar punësimet e personave të afërt me PDK-në në institucione të ndryshme si anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura./Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.