Nis beteja për dije në shkollat e Prizrenit

Rreth 2. 300 nxënës të Komunës së Prizrenit, për herë të parë sot janë ulur në bankat shkollore, në klasën e parë, duke nisur kështu betejën për dije, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Përpos gjimnazit “Remzi Ademaj”, dhe shkollës fillore në fshatin Shkozë, sipas zyrtarëve arsimor, procesi mësimor nisi në 50 shkollat e nivelit fillor dhe në 5 shkollat e mesme të komunës së Prizrenit.

Në ditën e parë të fillimit të mësimit, kryetari i Komunës  së Prizrenit, Mytaher Haskuka, me bashkëpunëtorë, ka vizituar disa shkolla të qytetit, ndërsa ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për një fillim të mbarë.  “Arsimimi cilësor i fëmijëve tanë është mundësia e vetme për ngritjen e mirëqenies së shoqërisë sonë, prandaj të gjithë së bashku mundemi dhe duhemi t’u japim shtytje fëmijëve që të kenë një ardhme të ndritur”, ka thënë ndër tjera ai.

Haskuka tha se angazhimet e qeverisjes lokale në Prizren, janë në shërbim të ngritjes së cilësisë në arsim, si dhe krijimin e kushteve të nevojshme për punë në objekte shkollore, që të arsimohen kuadro profesionale për zhvillimin e vendit, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Drejtori i Arsimit, Skënder Susuri, fillimin e vitit të ri shkollor  e ka vlerësuar  si të suksesshëm, ndërsa ka thënë se nesër pritet që edhe shkolla në  Shkozë të fillojë punën, sikurse të gjitha shkollat tjera që filluan mbarë procesin edukativo-arsimor 2018-2019.

Më të gëzuarit në ditën e parë të shkollës ishin filloristët, të cilët për herë të parë, të hënën, në shoqërimin e prindërve ia mësynë bankave shkollore, në klasat që gumëzhinin nga zhurma fëmijërore.

Filloristja Mimoza Bytyci, përderisa ia shtrëngonte dorën gjyshes së saj, dukej e hareshme për fillimin e shkollës, ndërsa tregonte se ka gjetur një shoqe dhe se është ulur në bankën e parë, afër mësueses në shkollën “Lekë Dukagjini”.

Drejtorët e shkollave fillore “Emin Duraku”, “Abdyl Frashëri”, gjimnazit “Gjon Buzuku” e shkollave të tjera, kanë thënë se janë bërë përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtje të procesit mësimor.

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, “gjallëri” dukej jo vetëm në shkolla, por edhe në libraritë e qytetit, megjithëse për shkak të shpërndarjes falas të librave për filloristët, nuk binin në sy tollovitë e dikurshme, që edhe më zhurmshëm shënonin fillimin e vitit të ri shkollor./GazetaePrizrenit.net/

P.S   Në foto, dita e parë e shkollës në gjimnazin “Gjon Bukuzu” në Prizren.