Nisma në Prizren do të dorëzojë Kallëzim Penal ndaj Haskukës dhe dy zyrtarëve të tjerë
NISMA Socialdemokrate dega në Prizren, të hënën më 27.04.2020 do të dorëzojë Kallëzim Penal ndaj zyrtarëve të Komunës së Prizrenit. Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate të dërguar nga kjo parti. Sic bëhet e ditur kallëzimi penal do të dorëzohet kundër kryetarit të Prizrenit Mytaher Haskuka, drejtorit të Shëndetësisë në Prizren Visar Shehu si dhe Is Omsnakaj që është shef i Zyrës së Prokurimit.
Lënda me të cilën kjo parti ka vendosur të dorëzoj kallëzim penal ka të bëj me atë se këta zyrtar kanë tejkaluar kompetencat gjatë një kontrate për ” Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Coronavirusi në Komunën e Prizrenit”
Më poshtë e gjeni të plotë njoftimin e Nismës:
Prokurorisë Themelore në Prizren
Departamenti për krime të rënda
Konform nenit 79 para 1, të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, paraqesim këtë:
KALLËZIM PENAL
Kundër: Myteher Haskuka – Kryetar i Komunës së Prizrenit
Visar Shehu – Drejtor i Shëndetësisë në komunën e Prizrenit
Isa Osmankaj – Shef i Zyrës së Prokurimit
Për shkak të dyshimit të arsyeshëm se :
Në cilësinë e personave përgjegjës të autoritetit kontraktues – Komuna e Prizrenit, më 6 prill 2020, kanë nënshkruar një kontratë për ” Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Coronavirusi në Komunën e Prizrenit” . Kjo kontratë është nënshkruar me kompaninë “Eka Tradeing“ Sh.P.K. nga Prizreni përmes negociatave të drejtpërdrejta dhe pa publikim të njoftimit për kontratë.
Të lartëcekurit, në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Prizrenit duke i tejkaluar autorizimet ligjore dhe duke mos respektuar ligjin për prokurim publik, kanë nënshkruar një kontratë me çmimet për njësi që nuk janë në përputhje me çmimet e tregut, që përbënë shkak i dyshimit të arsyeshëm për keqpërdorim të parasë publike.
Me këtë veprim, dyshohet se të lartëcekurit në cilësinë e personave zyrtarë të Komunës së Prizrenit kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, të sanksionuar në nenin 414 dhe 415, të Kodit Penal të Republikës se Kosovës.
A r s y e t i m
Më datë 19.04.2020, në portalin Insajder me titull “Haskuka nuk ndalet me kontrata te dyshimta: paguan 14 euro për një litër dezinfektues” dhe portali lajme365.com, është publikuar artikulli me titullin “SKANDALOZE: “Çmimet në qiell” në kohë pandemie, Komuna e Prizrenit paguan 14 euro për litër për dezinfektues, dhe 31 euro për maska”.
Pas marrjes së informacionit në artikullin e sipër përmendur dhe provat e paraqitura nga ky artikull, Nisma Socialdemokrate Dega në Prizren ka përgatitur këtë kallëzim penal.
Dyshimi i arsyeshëm se Kryetari i Komunës z.Mytaher Haskuka, Drejtori i Shëndetësisë z.Visar Shehu dhe Isa Osmankaj – Shef i Zyrës së Prokurimit në cilësinë e personave zyrtarë kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, te sanksionuar në nenin 414 dhe 415, të Kodit Penal të Republikës se Kosovës. Kjo rezulton nga fakti se Komuna e Prizrenit ka nënshkruar një kontratë për ”Furnizim me material shpenzues sanitar për nevojat e shërbimeve shëndetësore për mbrojtje nga Coronavirusi në Komunën e Prizrenit”. Kontrata është nënshkruar me kompaninë “Eka Tradeing“ Sh.P.K. nga Prizreni përmes procedurës së negocimit të drejtpërdrejtë dhe pa publikim të njoftimit për kontratë.
Për më shumë Operatori Ekonomik i kontraktuar nga Komuna e Prizrenit në aktivitetin e saj ekonomik të regjistruar pranë Agjencionit për Regjistrimin e Biznesit Kosovë, aktivitet primarë ka tregtinë me shumicë jo e specializuar, kanalizimi, zhvillimi i projekteve të ndërtimit, ndërtimi i projekteve banesore dhe jo banesorë, ndërtimi i projekteve të ujit, punime montimi nga druri dhe materiale të tjera, aktivitetet e fotografimit, aktivitetet e përkthimit dhe interpretimit si dhe aktivitet mbështetëse për shfaqje artistike. Ky Operator Ekonomik në aktivitet e saj ekonomike nuk ka të listuar aktivitet ekonomike të produkteve medicionale apo diçka të ngjashme, gjë që vë dyshimin e arsyeshëm të keqpërdorimit të pozitës zyrtarë nga të lartëcekurit gjatë negocimit të drejtpërdrejtë më këtë operator ekonomik.
Kompania fituese e kontratës, ka vlerë kapitale 1,000 euro, e cila ende nuk i ka mbushur një vit nga themelimi i saj dhe e cila ka vetëm një punëtor të regjistruar.
Aktivitetet tjera të deklaruara në ARBK nga kompania “Eka Tradeing“ Sh.P.K. janë edhe tregtia me shumicë jo e specializuar, kanalizimi, zhvillimi i projekteve të ndërtimit, ndërtimi i projekteve banesore dhe jobanesore, ndërtimi i projekteve të ujit, punime montimi nga druri dhe materiale të tjera, aktivitetet e fotografimit, aktivitetet e përkthimit dhe interpretimit si dhe aktivitet mbështetëse për shfaqje artistike.
Komuna e Prizrenit ka paguar 8,9 Euro për një maskë të tipit FFP2, me ç’rast për 600 copë Komuna e udhëhequr nga Mytaher Haskuka i Vetëvendosjes, ka paguar hiç më pak se 5,340 Euro.
E njëjta maskë në treg ka një çmim prej 3 deri 4 euro dhe të njëjtën Komuna e Dragashit e ka blerë për vetëm 3.8 euro. Komuna që udhëhiqet nga Shaban Shabani i ka blerë 4,500 maska të tilla për 17 mijë e 100 euro përmes tenderi për furnizim me materiale mbrojtëse nga COVID-19.
Përveç maskave FFP2, Komuna e Prizrenit ka paguar çmime enorme edhe për dezinfektues.
Për një litër dezificient për dezinfektimin higjienik dhe kirurgjik të duarve, Komuna e Prizrenit ka paguar çmimin prej 14 eurosh, duke paguar 2,800 euro 200 litra dezinfektues higjienik dhe kirurgjik të duarve.
Në treg i njëjti dezinfektues ka një çmim prej afër 5 eurosh. Komuna e Dragashit një produkt të tillë e ka siguruar me 5.5 euro.
Dezinfektuesi për pajisje medikale nga Komuna e Prizrenit është paguar 15 euro për litër, kurse në treg ky produkt ka një çmim prej afër 3 euro për litër.
Pra, Komuna e Prizrenit ka blerë material për mbrojtje nga koronavirusi, në vlerë prej hiç më pak se 102,040 euro, nga një kompani që organizon konferenca dhe panaire.
Si provë materiale, lidhur me këtë rast janë artikullin i protalit lajmet365.com (linku: https://lajme365.com/skandaloze-cmimet-ne-qiell-ne-kohe-pandemie-komuna-e-prizrenit-paguan-14-euro-per-liter-per-dezinfektues-dhe-31-euro-per-maska/ ) dhe provat brenda këtij artikulli, si kontrata e lidhur mes Komunës së Prizrenit dhe Operatorit Ekonomik “Eka Tradeing“ Sh.P.K”, si dhe artikulli i Insajderit
Nga sa u tha më lartë, të lartëcekurit në cilësinë e personave zyrtarë nga komuna e Prizrenit, dyshohet se janë përfshirë në kryerjen e veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik, te sanksionuar ne nenin 414 dhe 415, të Kodit Penal të Republikës se Kosovës. Andaj në këtë çështje penale, është e nevojshme që prokuroria të marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve, në mënyrë që të siguroj edhe provat tjera në proces, që mund të jenë të nevojshme për ngritjen e aktakuzës.
Provë : 1.Formulari për dorzimin e tenderit me nr. të prokurorimit 622-20-1095-1-2-5
2.Artikulli nga 365.com te bashkangjitur këtij kallzimi në bazë te linkut te mësipërm.
3. Artikulli nga Insajderi i bashkangjitur gjithashtu ne kete kallzim.
Zyra për Informim,
NISMA Socialdemokrate – Dega në Prizren