16-04-2024

Nisma në Prizren e vlerëson të drejtë prishjen e koalicionit me VV-në dhe LDK-në

Drejtuesit e degës së Nismës Socialdemokrate në Prizren kanë vlerësuar si të qëlluar vendimin për braktisjen e koalicionit qeverisës komunal me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas tyre, nuk është e pranueshme që brenda dy vjetëve të qeverisjes, pesë drejtorë të akuzohen nga Prokuroria për keqpërdorimin e pozitës zyrtare.

“Se vendimi ynë për të dalë nga qeverisja në Prizren ka qenë i drejtë po tregon edhe koha, ku pak muaj pasi u larguam shpërthyen aferat korruptuese të koalicionit LVV-LDK, të cilët tashmë po ia kalojnë edhe atyre që qeverisën para tyre”, ka thënë kryetari i degës së NS-së, Zafir Berisha, shkruan sot “Koha Ditore”.

Prokuroria Themelore e Prizrenit në fillim të muajit gusht të këtij viti pati njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër drejtorit të Financave, Ertan Simitci, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare me pretendimin se gjatë vitit 2016 ka lidhur kontrata me televizionet lokale për emetimin e spoteve reklamuese rreth pagesave të tatimit në pronë pa procedura të tenderimit. Në fund të muajit gusht, Simitçi pati dhënë dorëheqje nga ky post.

Në fillim të këtij muaji, Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër tre drejtorëve të Komunës së Prizrenit, një anëtareje të Kuvendit të Komunës dhe një aktivisti të shoqërisë civile për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë bërë veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Në bazë të kësaj aktakuze, drejtori i Shërbimeve Publike, Levent Kasemi, drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fejzë Kabashi, drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Refik Shaqiri, këshilltarja e KK-së nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Ganimete Babuna, dhe drejtori i Fondacionit “Lumbardhi”, Ares Shporta, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit akuzohen se me dashje e kanë shkelur Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës së Paluajtshme të Komunës, me ç’ rast kanë favorizuar një ofertuese në dëm të një ofertuesi tjetër që kishte kuotuar me çmim më të lartë për një lokal në sheshin “Shatërvan”.

Ndërsa të premten e shkuar Prokuroria Themelore në Prizren pati njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Inspektorateve dhe pesë zyrtarëve të tjerë të Komunës së Prizrenit për shkak të dyshimit se bashkërisht kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, në paraqitjet mediale aktakuzat e Prokurorisë i pati quajtur tendencioze.

Asnjë koment

Comments are closed.