24-11-2024

Një person sulmoi policin në Rahovec, u rrah edhe me shoferin që u aksidentua

Mbrëmë në Rahovec, dy persona u rrahën pasi u përfshinë në një aksident trafiku, raporton Gazeta Sinjali.

Aksidenti ndodhi në fshatin Brestoc, ku Policia arriti të intervenojë, por hasi në rezistencë nga njëri prej të dyshuarve – i cili edhe e sulmoi një polic.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi i dyshuar për këtë rast është Driton Orllati, rreth 48-vjeçar.

Orllati po dyshohet se ka shpërfillur urdhrat policorë dhe për të mos mbaruar me kaq e ka goditur një zyrtar policor me shqelma.

Njësiti policor u detyrua që ta vë situatën nën kontroll, duke përdorur sprej, si dhe forcën proporcionale për ta prangosur.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe po ashtu i është dhënë ndihma mjekësore në Emergjencë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.