Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre pjesëtarë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë janë therur me thikë këtë të shtunë, rreth orës 17:00 në lagjen Dardania në Prizren.
Togeri i Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi, ka thënë për Telegrafin se rasti ka ndodhur pasi zyrtarët policorë kishin shkuar për të intervenuar te një rast i dhunës në familje.
Ai ka bërë të ditur se njëri nga zyrtarët policorë ka marrë lëndime më të rënda dhe është transportuar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ndërsa dy të tjerët po trajtohen në Spitalin e Prizrenit.
“Para orës 17:00 në lagjen ‘Dardania’, familjarët kanë kërkuar ndihmën e Policisë për shkak se djali i tyre, tashmë i dyshuari, nuk ka pranuar që të marrë ilaçet, pasi është me të meta psikike dhe merr trajtim të herë pas hershëm. Ka ardhë patrulla e Policisë dhe kanë tentu që me e bë të mundshme marrjen e injeksioneve, por i njëjti ka qenë i dhunshëm me ç’rast ka nxjerrë thikën dhe ka tentuar të sulmojë patrullën policore. Ata kanë thirrë NJRSH dhe pasi që kanë ardhë NJRSH, edhe ata i ka sulmuar me thikë dhe tre prej zyrtarëve të NJRSH-së, janë lënduar”, ka deklaruar Bytyqi.
Lexo edhe:
Ai tutje ka njoftuar se të tre zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe tashmë ndodhet në stacion policor.
Tre policë janë therur me thikë këtë të shtunë në Prizren, nga një person.
Burimet e Telegrafit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur pasi patrulla policore ka shkuar te një familje, pas lajmërimit për dhunë në familje.
Me këtë rast patrulla e Policisë është sulmuar nga një person pasi kishin shkuar të intervenojnë për një rast të konfliktit familjar.
Të lënduarit janë duke u trajtuar në Spitalin e Prizrenit.
/ Gazeta e Prizrenit /