25-11-2024

Një sërë aktivitetesh për Ditën e Çlirimit në Malishevë

Sot, Komuna e Malishevës, përmes aktiviteteve të ndryshme, është duke shënuar 16 Qershorin, Ditën e Çlirimit dhe Ditën e Dëshmorëve. Në këtë ditë, po ashtu, me vendim të Kuvendit të Komunës, janë ndarë edhe çmimet tradicionale, për trimëri dhe heroizëm, për kontribut në arsim dhe në shëndetësi. Në fjalimin e tij, i pari i Malishevës, Ragip Begaj, 16 Qershorin, e ka cilësuar si “një ditë e shenjtë për Malishevën”.

Aktivitetet e ditës së sotme, kanë filluar me një vrapim nga fëmijët e lindur në vitin e pavarësisë, më 2008, për të vazhduar me mbledhjen solemne të Kuvendit të Komunës së Malishevës dhe me ndarjen e çmimeve tradicionale. Çmimin “Imer Krasniqi”, për trimëri dhe heroizëm, e kanë marrë Velvetije Zogaj-veterane e UÇK-së dhe Skënder Krasniqi-veteran i UÇK-së, ndërsa çmimin “Hamdi Berisha” për kontributin e dhënë në shkollën shqipe, këtë vit ju ka ndarë Shani Morinës (pas vdekjes) dhe Rexhep Begajt, veteran i arsimit dhe çmimi “Dr.Shpëtim Robaj”, për kontributin e dhënë në shëndetësi, për këtë vit, ju ka ndarë mjekëve Mursel Gashi dhe Ramë Morina.

Në këtë mbledhje solemne, krahas anëtarëve të KK të Malishevës, kanë marrë pjesë edhe struktura të larta të FSK-së, me në krye gjeneralmajor Gëzim Hazrolli, zëvendësministri i MKRS-së, Rexhep Mazreku, ish deputet të Kuvendit të Kosovës, nipi i Ismet Jasharit, komandant Kumanova, familje të dëshmorëve, veteran të luftës së UÇK-së dhe qytetarë të shumtë.

Në këtë mbledhje nga një fjalë rasti kanë mbajtur, Ragip Begaj, kryetar i  Malishevës, Rrahim Morina, kryesues i Kuvendit të Komunës dhe Sinan Gegaj, në emër të shoqatave të dala nga lufta. Në fjalimet e tyre, ata kanë folur për luftën dhe rëndësinë e luftës, për çlirimin e Malishevës dhe të Kosovës, për kontributin e dëshmorëve të kombit dhe për zhvillimet e përgjithshme në Komunën e Malishevës, që pas luftës së dytë botërore, e deri më sot.

Aktivitetet kanë vazhduar me nderime dhe homazhe, tek shtatorja e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari në Malishevë, pastaj tek varrezat e dëshmorëve në Malishevë, Kleçkë dhe në Prekaz.

Në të njëjtën kohë janë zhvilluar edhe aktivitete tjera kulturore, si hapja e ekspozitës në pikturë dhe shfaqje teatrale, në shtëpinë e kulturës, “Tahir Sinani” në Malishevë. Aktivitetet e stome, vazhdojnë me koncert të madh, në sheshin e qytetit, pastaj finalja e turnirit në futboll të vogël, “Ibrahim Mazreku”, që mbahet në palestrën sportive “Habib Zogaj” në Malishevë, dhe të gjitha aktivitetet, do të përfundojnë me ndezjen e fishekzjarrëve.

Asnjë koment

Comments are closed.