Njëshat s’janë rezultat i mospunës së arsimtarëve, por pasojë e keqmenaxhimit në arsimin prizrenas
Shkruan: Gazmend Beqaj
Statistikat tregojnë se në fund të periudhës së tretë mësimore në shkollën e mjekësisë, afro 90% e nxënësve kishin suksesin negativ me 1 deri në 15 nota të dobëta.
Dy muaj më vonë, në fund të vitit mësimor “vetëm” afro 5 % e nxënësve përsërisin klasën. S’duhet shumë mençuri për të kuptuar se diçka nuk është në rregull, diçka nuk shkon…
Për çdo zyrtarë të thjeshtë të arsimit që ia do të mirën arsimit, do të ishte lehtë të identifikohet si problem kryesor jokonsekuenca e profesorëve në vlerësimin e nxënësve.
Por, jo edhe për zyrtarët tanë dhe për shumë pseudo-gazetarë, të cilët në vend se të merren me ata që brenda dy javëve të fundit i transformojnë të gjitha ato nota të dobëta në “kafe çaj e muhabet” merren me ata pak profesorë konsekuent, që po mundohen ta ruajnë dinjitetin e profesionit.
Ku ishte DKA dhe Skënder Susuri, që ishte edhe atëherë pjesë e stafit kur shkolla u shndërrua në hambar të votave politike dhe u mbushen klasat me nga 46 nxënës, pjesa dërmuese e të cilëve nuk plotësonin kriteret për t’u regjistruar në shkollën e mjekësisë dhe nuk kishin kapacitete për t’u përballur me plan-programin mësimor të ngarkuar të këtij profili mësimor mjekësor.
Ku ishte DKA kur në lokalet e shkollës ofendoheshin e besa edhe kërcënoheshin mësimdhënësit bile-bile edhe nga ata që do duhej t’i mbronin? Ku ishte DKA kur me rastin e vetëvrasjeve fatkeqe të dy nxënësve tona, opinioni publik i nxitur nga deklarata e pamatura të zyrtarëve të DKA na akuzonin për rastin edhe pse tashmë është e dëshmuar se vetëvrasjet më së paku kishin të bënin me problemet në shkollë?
Tash na doli DKA kinse në mbrojtje të nxënësve edhe pse detyra e saj nuk është të mbroj as nxënësin as mësuesit, por procesin mësimor.
Zyrtareve të DKA-së nuk u kanë penguar pesëshet e profesorëve të cilët nxënësit as që i njohin, as nuk u kanë penguar notat e dobëta të përmirësuara si me telekomandë nga jashtë.
Atyre u ka penguar konsekuenca e katër-pesë profesorëve të shkollës të cilët nuk iu janë nënshtruar presioneve publike edhe nga vet Skënder Susuri, që të falen notat!
Numri i madh i notave të dobëta nuk janë rezultat i mospunës së arsimtarëve, se ai që ka më së shumti nota të dobëta në fakt ka qenë përzgjedhur si profesori më i mirë në Republikën e Kosovës, dhe s’ka njeri që nuk e vlerëson, por është kryekëput pasojë e keqmenaxhimit në arsimin prizrenas nga DKA.
(Autori është profesor në shkollën e mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren)
Sqarim: Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe nuk do të thotë se përfaqësojnë qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.