24-11-2024

“Noizy sonte në Stop”, Policia në ‘pritje’ të reperit: Në çdo moment që takohet, do të arrestohet

Reperi shqiptar, Rigels Rajku, i njohur si ‘Noizy’ është futur në kërkim policor qe disa ditë nga organet e rendit në Kosovë, por ende nuk është kapur. Shteti dështoi ta vë para drejtësisë reperin, i cili vazhdoi performancat në kryeqytet dhe shpëtoi nga prangat e Policisë. Për sonte është paralajmëruar një koncert i tij në Gjilan dhe akoma nuk dihet nëse Noizy do të arrijë sërish ta sfidojë shtetin, raporton Gazeta Sinjali.

Policia Rajonale në Gjilan është vënë në dijeni të njoftimit se reperi do të jetë sonte në diskotekën ‘Stop’ për të performuar në Gjilan.

Në një përgjigje për Sinjalin nga Policia në Gjilan kanë bërë me dije se nëse reperi haset nga ana e zyrtarëve policorë, i njëjti do të arrestohet.

“Ju njoftojmë se personi i apostrofuar nga ana e juaj është në kërkim policor dhe i njëjti në ç’do moment që do të takohet nga ana e Zyrtarëve Policor pa marrë parasysh në cilin lokacion, ai do të arrestohet dhe dorëzohet në njësitin përkatës që është në kërkim të tij.”

Diskoteka ‘Stop’ pas njoftimit të mbrëmshëm, ka bërë një tjetër postim sot, ku thuhet “Po e hapim javën qashtu qysh e kërkon veni. E hënë – Noizy”.

Kujtojmë se loja e Noizyt dhe ‘kurthi’ në të cilin dyshohet se ranë organet e rendit, ia mundësoi atij që edhe të shtunën të mbante koncertin në diskotekën ‘Venom’ edhe pse ishte lëshuar urdhërarrest ndaj tij.

Raportimi i Sinjalit aktivizoi organet e rendit të dielën mbrëma, pasi u shpërfaq mashtrimi i reperit, të cilit padyshim se i ndihmoi edhe diskoteka.

Sinjali ka tentuar të marrë një deklaratë nga pronari i diskotekës Venom, por i njëjti sot nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë.

Asnjë koment

Comments are closed.