Shefi i Grupit të këshilltarëve të AAK-së në Prizren, Ilir Baldedaj, përmes një shkrimi në profilin e tij, në rrjetin “facebook” ka njoftuar se me inicimin e tij janë mbledhur 16 nënshkrime të kuvendarëve, për mbajtjen e një mbledhje të jashtëzakonshme te Kuvendit Komunal (KK) me një pikë të vetme të rendit të ditës, kushtuar gjendjes në klubin Liria:
“Pezullimi i financimit të KF “Liria” për shkak të keqmenaxhimit dhe formimi i një komisioni nga Kuvendi Komunal 5 deri 7 anëtarë deri në një vendim të ri”.
Baldedaj ka shkruar :
“E kam tërhequr vërejtjen që nga ditët e para se fati i Lirisë, do të jetë ky, rënia nga Superliga dhe kjo ka ndodhur.Kam kërkuar reagim nga Drejtoria e Kulturës dhe nga kreu i Komunës, por të gjitha reagimet kanë has në vesh të shurdhër. E udhëhequr nga “kuzhinierë” e “dilerë devizash”, Liria nuk ka mundur të ketë përfundim tjetër.
Nëse këta kuzhinierë e diler devizash vazhdojnë ta udhëheqin Lirinë, Klubi ynë me traditë do të vazhdojë të shkatërrohet, prandaj duke e parë gjendjen e këtillë kam mbledhur nënshkrimet për Mbledhje të Jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal.
Kërkesa e parë është ndalja e financave komunale për “matrapazët” ndërsa formimi i një Komisioni nga të gjitha partitë politikë është kërkesë për gjetjen e zgjidhjes që Liria të kthehet aty ku e ka vendin”, ka shkruar kuvendari, Baldedaj. /GazetaePrizrenit.net