02-12-2024

Osmani: Gabim historik për vendin nëse nuk bëhet marrëveshja VV-LDK

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur gabim historik për vendin nëse nuk arihet marrëveshja VV-LDK.

“Nuk mund të flas se cili do të jetë qëndrimi i ri, por mendoj se do të ishte gabim historik për vendin nëse nuk do të ketë marrëveshje me Vetëvendosjen. Si bartëse e listës së LDK-së dhe përfaqësuese e votuesve e kam për detyrë që ta dërgojë vullnetin e qytetarëve deri në fund dhe do të insistojë deri në fund”, ka thënë ajo.

Osmani tutje ka theksuar se nuk ka pasur takime ndërmjet VV-së dhe LDK-së këto ditë.

Ajo ka thënë se duhet të krijohet një atmosferë më e mirë e komunikimit dhe bashkëpunimit në mënyrë që t’i hapet rrugë marrëveshjes.

“Nuk janë takuar pas takimit të së hënës, pasi t’i përcaktojmë qëndrimet tona atëherë do të ketë takime të reja dhe do të shohim se si do të procedohet. Nuk dua të paragjykojë, e rëndësishme është që marrëveshja të arrihet dhe nuk kam mirëkuptim ndaj kujtdo që krijon pengesa ndaj vullnetit qytetarë’, ka thënë ajo.

Osmani ka bërë të ditur se sot nuk do të ketë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm për shkak të mungesës së deputetëve derisa paralajmëroi se një mbledhje e tillë do të mbahet të hënën, raporton Ekonomia Online.

Osmani tha se në mbledhje do të diskutohet për zhvillimet e 26 dhjetorit. Pas qëndrimit të kryesisë, LDK-ja do të dalë me qëndrime të reja dhe të shikohet se si do të vazhdohet tutje.

“Pas zhvillimeve të 26 dhjetorit ka qenë nevoja që organet e LDK-së të mblidhen edhe njëherë. Këto takime kanë qenë të parapara për të premten, por janë shtyer për të hënën për shkak të arsyeve teknike dhe një numër i deputetëve që janë në Kosovë. Të hënë do të diskutojmë këto rrethana të reja për të parë se cili është qëndrimi i kryesisë dhe deputetëve të cilët kanë marrë legjitimitetin qytetarë. Pasi t’i dëgjojmë qëndrimet e tyre do të shohim se si do të procedohet më tutje”, ka thënë Osmani, raporton EO.

Asnjë koment

Comments are closed.