08-05-2024

Osmani: Shembullin e njerëzve punëtorë dhe fisnikë të Hasit duam ta sjellim në institucione (VIDEO)

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, para pak minutash e ka përfunduar takimin me banorët e fshatit Gjonaj të Prizrenit.

Ajo në një lidhje direkte në Magazina Zgjedhore të Klan Kosovës ka treguar se çfarë ka biseduar me banorët e këtij fshati.

“Është hera e tretë, përafërsisht brenda një muaji, që ne mbajmë takime jashtëzakonisht të mira me qytetarët e Prizrenit anë e kënd. Sot, edhe me kërkesën e banorëve të Hasit, erdhëm në Gjonaj dhe po e shohim një entuziazëm të jashtëzakonshëm që nuk e kemi parë në këto 15 vjet”.

“Një përkrahje që rrallë herë ka qenë kështu. Shpresojmë shumë që edhe Gjonaj do të kontribuojë në rritjen e LDK-së në rajonin e Prizrenit në tërësi”.

“Ne sot bashkëbiseduam lidhur me problemet që i kanë banorët e Hasit, por edhe kudo. Këtu fenomeni i ikjes së qytetarëve është jashtëzakonisht i madh”.

Osmani ka thënë se shembullin e hasjanëve duan ta sjellin në institucionet e vendit.

“Në anën tjetër, folëm për aspektin pozitiv të shembullit jashtëzakonisht të mirë që e ka dhënë Hasi jo vetëm në Ballkan, por kudo në Europë të njerëzve punëtorë dhe fisnikë”.

“Këtë shembull ne synojmë ta sjellim në institucionet e Kosovës që më në fund shteti i Kosovës të përfaqësohet nga njerëz punëtorë, fisnikë dhe të ndershëm që i shërbejnë vendit me nder dhe të cilët interesin e vetëm që e shohin është interesi i qytetarëve, pra që punojnë për qytetarë dhe jo pushtet”.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre ka deklaruar se problemet që i kanë shfaqur banorët e kësaj ane, ajo i dëgjon çdo kund ku shkon.

“Shumë sinqerisht, problemet që i ka Hasi janë problemet e gjithës Kosovës. Kudo që shkojmë, qytetarët flasin për papunëssi, krim, korrupsion dhe nevojën për liberalizim, por jo si nevojë që liberalizimi të shfrytëzohet si ikje apo zbrazje e Kosovës, por si vlerë që dëshmon që edhe qytetarët e Kosovës janë europianë – sepse vërtetë janë, jo vetëm gjeografikisht, por edhe kulturalisht dhe nga potenciali që kanë”.

Osmani ka treguar për Klan Kosovën se kur do të publikohet i gjithë programi i LDK-së, pasi ajo deri tani i ka shpalosur vetëm pesë shtyllat e planit qeverisës.

“Sa i përket programit, ne tashmë jemi vetëm në përfundim të çështjeve teknike që kanë të bëjnë  me realizimin sa më të mirë të programit tonë”.

“Sot jemi njoftuar nga Shtabi Zgjedhor që brenda 2-3 ditësh do të jetë i gatshëm që t’u shpërndahet qytetarëve të Kosovë. Nuk do t’i mundojmë qytetarët me program 200 faqësh si është përgatitur, por ideja është që shtyllat dhe prioritetet kryesore t’u shpërndahen atyre dhe pastaj të flasim me ta për t’i zbërthyer më në detaje”.

“Është program shumë i prekshëm që në qendër e ka familjen kosovare”.

Asnjë koment

Comments are closed.