(Pa)dobia e filozofisë

Nga Afrim Kasolli

Një nga anekdotat më të njohura në historinë e filozofisë, mbetet ajo mbi rënien e Talesit, në një gropë deri sa ishte duke i vështruar yjet. Sipas Diogen Laerti-it, në veprën “Lives and Opinions of Eminent Philosophers”, papritmas një grua, kalimtare e rastit, në qytetin e Miletit, tallet më themeluesin filozofisë perëndimore, “se çka të duhet të shohësh në qiell o Tales, kur nuk je në gjendje të shohësh asgjë para syve të tu”.

Ky reagim shpotitës ndaj këtij mendimtari antik, ka mbetur paradigmatik mbi karakterin jo “pragmatik” dhe jo “praktik” të kësaj disipline mendore. Me fjalë tjera, çfarë dobie kanë për filozofin “aventurat” e tij mendore, kur ato nuk i ofrojnë atij asnjë instruksion në jetën e tij “reale”. Dhe nga kjo “plagë” thuajse filozofia nuk është “kuruar” as sot e kësaj dite. A ia vlen të humbet kohë me atë formë të mendimit që nuk prodhon, nuk krijon dhe nuk ofron asgjë konkrete dhe të prekshme, por që na tundon të zhytemi në “misteret” e mendimit, vetëm për hir të mendimit.

Dedikimi i një jetë të tërë në funksion të këtij projekti e pat formuar thelbin e jetës kontemplative. Dhe për grekët e moçëm, kjo veprimtari ishte jeta më supreme, me anë të cilës mund të bekohej një qenie njerëzore. Ajo nuk drejtohej nga qëllimet e jashtme. Nuk kushtëzohej nga interesat ditore, ishte e çliruar nga pasionet e momentit dhe e karakterizonte një lloj luksi intelektual.

Aristoteli qe artikuluesi më i spikatur i kësaj prirje. Sipas tij, filozofia lidhej me kohën e lirë të njeriut. Pjesa më e madhe e këtij aktiviteti qëndronte në themel të metafizikës, detyra e së cilës ishte hulumtimi i asaj që quhej si njohje e “fillimeve dhe shkaqeve të para” (protai arhai kai aitiai). Diçka që e dallon rrënjësisht këtë formë të jetës me politikën, në kuadër të cilës, asgjë s’ka më të rëndësishme se shfaqja para tjerëve.

Ndërkohë, shembja e metafizikës dhe shthurja e parimeve të saj fondatore, që ndodhi në fund të shekullit 19 dhe përgjatë gjithë shekullit 20, e ka shtruar më shumë se asnjë herë tjetër, dobinë e kësaj disipline. Mendimin filozofik e shoqëruan një varg kumtesh mortore.

Tashmë ishin vetë filozofët që u revoltuan kundër kësaj tradite. F. Nietzsche dhe K. Marxi, janë më të njohurit në këtë drejtim. I pari me pandehmat e tij mbi tejkalimin e njeriut dhe paralajmërimet mbi ardhjen e “nihilizmit” si kuptimi i epokës sonë, dhe i dyti i nxitur nga zjarrmia e tij revolucionare e atakoi këtë traditë si të kotë, sepse “filozofët vetëm e kanë interpretuar botën, mirëpo qëllimi është që ajo duhet të ndryshohet”

Sidoqoftë, ky përçmim i filozofisë dhe subjektit kryesor të saj; mendimit, sipas Martin Heidegger-it, mbase është produkt i dhunimit të kësaj sfere, për shkak të vlerësimit dhe gjykimit të saj, sipas standardeve të jetës së përditshme. Në librin “Introduction to Metaphysics” filozofi gjerman konstaton, se shpeshherë i dëgjojmë frazat se “asgjë nuk vjen nga filozofia” dhe “ju nuk mund të bëni asgjë me të”.

Në shikim të parë, konstatime të tilla, duken të vërteta. Mirëpo, vazhdon ky mendimtar, nuk mund të mohet fakti se nëse ne nuk mund të bëjmë diçka më të, atëherë, nuk është e vërtetë që ajo nuk mund të bëjë diçka me ne, me kusht që të angazhohemi thellësisht nëpër “labirintet” e saj. Sepse, është gabim sipas tij, ta gjykosh filozofinë, sikur se efektivitetin e biçikletës apo efikasitetin e banjave minerale. Po ashtu është iluzion të mendohet se ajo do t’i bëjë gjerat më të lehta. Përkundrazi, ajo i vështirëson. Detyra e saj është vetëm të hap shtigje të reja me anë të mendimit. Dhe mbase ajo që kemi nevojë mbetet kultivimi i të mësuarit si të mendojmë. Çuditërisht njerëzit kanë mësuar shumë aftësi tjera, por mjerisht e kanë harruar atë për të menduar. E kjo paaftësi për të menduar, është njëri nga problemet kryesore të epokës sonë.

Kjo shtytje që ka për qëllim t’i nxisë njerëzit të mendojnë me kokën e vet, sipas Immanuel Kantit, qëndronte në themel të Iluminizmit. Ky projekt emancipativ, nuk është asgjë tjetër, vazhdon filozofi gjerman, pos dalje e njeriut nga foshnjëria e tij, për të cilën është vet fajtor, gjendje kjo që paraqet paaftësinë e njeriut për ta përdorur mendjen e vet pa drejtimin e një njeriu tjetër. “Sapere aude! Ki guximin që ta përdoresh mendjen tënde! Kjo është parulla e Iluminzimit.

Në këtë kontest, mbase ajo që nuk guxojmë ta braktisim është pikërisht ky mision i filozofisë. Rigjallërimi i “pasionit” për mendimin, pavarësisht mungesës së efekteve të drejtpërdrejta dhe praktike që mund të ketë. Dhe kjo detyrë është bërë më aktuale se kurrë më parë, për shkak të formave të shumëfishta të manipulimit teknokratik, ideologjik dhe politik. Synimeve të tyre për t’i mbajtur njerëzit të trysur brenda ingranazhit dhe zgafelles së tyre, në emrin e efikasitetit dhe modeleve të sjelljes si dhe mitit të suksesit që e normativizojnë autoritetet.

Mbase rëndësia e filozofisë, në këtë drejtim do të jetë më e madhe në epokën që shtrihet para nesh, se sa deri me tani. Sepse, nevoja e njerëzve për atë formë të mendimit që ua trason rrugën drejt autenticitetit të tyre, e jo si t’i përshtaten vetëm asaj që është dominuese është bërë çështje imperative . Kurse ruajta e karakterit të saj të (pa)dobishëm, është një nga mundësitë ideale për ta kultivar këtë formë të veçantë të mendimit.