23-11-2024

Pakënaqësi rreth lokacionit për vendosjen e Monumentit të Skënderbeut në Prizren

Paralajmërimi për vendosjen e Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Kryeqytetin historik të Kosovës, në Prizrenit, këtë 28 Nëntor, duket se ka shkaktuar pakënaqësi tek disa organizma, shoqata dhe qytetarë, për shkak të lokacionit të përcaktuar, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Vendi i Monumentit është përcaktuar të jetë në rreth rrotullimin tek ish-qendra tregtare “Ben -af”, përkatësisht afër stacionit të autobusëve, zonë kjo në hyrje-dalje të rrugës Prizren-Gjakovë.

Reagimet e publike janë shfaqur edhe përmes faqes “Prizren, Albania”, e cila ka ndjekës të konsiderueshëm, në të cilën vërehen komente të qytetarëve të Prizrenit kundër lokacionit për vendosjen e Monumentit.

Fotografia e Prizren, Albania

Aty komentuesit kërkojnë që Monumenti të jetë më afër qendrës së qytetit ku do të jetë një mundësi e mirë edhe për vizitorët. Siç thuhet kjo për shkak se lokacioni aktual është shumë problematik për të gjithë ata vizitorë e turistë që duan të realizojnë fotografi pranë shtatores, pasi fluksi i lëvizjes së veturave është shumë i lartë,  e kjo pamundëson fotografimin, dhe jo vetëm, duke paraqitur rrezik permanent për secilin vizitor.

“Faqja “Prizren, Albania” kërkon ndryshimin e Memorandumit sipas Nenit 5 nga Marrëveshja Dypalëshe mes KK dhe investitorit.

“Nuk na pëlqen aspak VendNdodhja e SkënderBeut 2 km larg Qendrës Prizrenit !!!

Kërkojmë nga shoqata ” Trojet e Arbërit ” si dhe nga ” Drejtoria e Administratës ” së Kuvendit Komunal të Prizrenit që të RiShqyrtojnë marrëveshjen dhe të vijnë në përfundim të një Lokacioni më të pranueshëm siç kemi hapësira afër qendrës në Shatërvan apo tek Parku afër Lidhjes Prizrenit e jo në dalje të qytetit ku nuk ka as turistë”, thuhet në reagimin e kësaj faqe.

Kundër lokacionit të përcaktuar të vendosjes së Skënderbeut, duke thënë një propozim për vendosje në qendër, në Prizren është hapur edhe një profil në Facebook:

Në anën tjetër reagime ka edhe nga subjektet politike në Prizren.

Kuvendari i AAK-së në Kuvendin Komunal, Ilir Baldedaj,  kërkon që  Shtatorja e Skënderbeut të vendoset në Shesh, afër Urës së Gurit.

“Pushteti aktual lokal i Prizrenit po bëhet gati që shtatoren e Skënderbeut të vendosi te rrethi (Te Ben-af). Mendoj se nuk i bëjmë nder as Skënderbeut dhe as historisë nëse Skënderbeun e vendosim në “bisht” të qytetit. Skënderbeu e ka vendin në qendër të qytetit. Ai ka qenë frymëzim i të gjithë heronjve, prandaj ai meriton respektin dhe vendin qendror në qytet”, ka thënë ai./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.