26-04-2024

Zgjedhja e Rektorit të UPZ-së shtyhet për të mërkurën

Zgjedhja e Rektorit të Universitetit Publik i Prizrenit (UPZ) “Ukshin Hoti”, është shtyrë për të mërkurën në mesditë, shkruan “GazetaePrizrenit.net” .

Këshilli Drejtues (KD) që vepron në kuadër të këtij universiteti, në mbledhjen e sotme bëri interivistimin e kandidatëve, por procedura e votimit u shty për të mërkurën.

Përpos Prof. Dr. Ismet Temajt, që aktualisht është ushtrues detyre i Rektorit, në konkurrencë për këtë pozitë janë edhe Prof. Dr. Kadri kryeziu, Prof. Dr. Naser Pajaziti, Prof. Dr.Bekim Berisha, si dhe Prof.Dr. Hamdi Hoti.

Kryetar i KD-së, Bedri Muhadri tha se pas procesit të intervistimit të pesë konkurrentëve, KD është pajtuar që mbledhja të vazhdojë të mërkurën, dhe atëherë të kryhet edhe votimi.

“Ky ka qenë vullneti i anëtarëve të KD-së, pasi mbledhja ka zgjatur, dhe se ka nevojë për konsultime”, tha për portalin “GazetaePrizrenit.net” ai.

Statuti i UPZ-së parasheh që rektori të zgjedhet me 2/3 e votave të nevojshme.

Në maj të vitit të kaluar Ismet Temaj ishte zgjedhur për Rektor, por mbledhja në të cilën ishte bërë zgjedhja e tij u kontestua, për shkak të mungesës së kuorumit të KD dhe çështja kaloi në Gjykatën Themelore të Prizrenit. Në dhjetor 2018, KD i këtij institucioni ka anuluar vendimin e datës 22.05.2018 për zgjedhjen e rektorit, duke zgjedhur Temajn si ushtrues detyre.

UPZ është themeluar në vitin 2010, ndërsa ka rreth 10 mijë studentë. Pas rektorit ndërkombëtar themelues, këtë detyrë deri më tash e kanë kryer disa rektorë dhe ushtrues detyre. I fundit në këtë pozitë ishte Prof. Dr. Ramë Vataj./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.