23-11-2024

Pal Lekaj dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për korrupsion

Ish-kryetari i Gjakovës, Pal Lekaj, është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe për përvetësim në detyrë, akuza këto me të cilat e ngarkon Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën fillestare që është mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ministri aktual i Infrastrukturës, ka mohuar se ka kryer këto vepra penale në kohën sa ka udhëhequr me Komunën e Gjakovës.

Të pafajshëm janë deklaruar edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Ismet Isufi, Pashkë Syla, Bekim Syla, Teuta Mejzini, Veli Hajdaraga dhe Dafina Thaqi.

Kryetari i trupit gjykues, Shaqir Zika, i ka njoftuar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, se kanë afat brenda 30 ditësh që të bëjnë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 10 prill 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, duke e ngarkuar me dy vepra penale atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të përvetësimit në detyrë.

Ish-kreu i Gjakovës, Pal Lekaj së bashku me Ismet Isufin, Pashkë Sylën, Bekim Sylën, Teuta Mejzinin dhe Dafina Thaqin akuzohen se duke vepruar si zyrtarë të Komunës së Gjakovës, kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare gjatë shpërndarjes së subvencioneve.

Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

“Vendimet që i ka lëshuar i pandehuri Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjëlloj baze juridike e që shkojnë deri në shumën prej 631.671.82 euro”, thuhet ndër të tjerash në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, subvencionet janë autorizuar nga të akuzuarit pa mbikëqyrje nëse pagesat janë bërë ndaj fermerëve dhe duke mos pasur fare kontratë me kompaninë “UNION-VL” me ç’rast rreth 40% e mbi tre mijë fermerëve nuk kanë pranuar fare pagesat që janë autorizuar ndaj tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit kanë kaluar edhe kompetencat ligjore, sepse përveç fondit për subvencione, ata për subvencione kanë përdorur edhe linjat tjera buxhetore të Komunës së Gjakovës, duke i shkaktuar asaj një dëm të mundshëm deri rreth 250 mijë euro.

Gjashtë të pandehurit akuzohen se me këto veprime, në periudha të ndryshme nga viti 2008 e deri në vitin 2014, në vazhdimësi kanë kryer veprat penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës dhe keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në këtë rast, akuzohet dhe Veli Hajdaraga, i cili, sipas organit të akuzës, gjatë periudhës 2008-2015, ka dhënë informacione të pasakta se kinse të gjithë aplikuesit për subvencione kanë pranuar subvencionet dhe se ka lejuar që në vend të fermerëve që kanë qenë në lista për të marrë subvencione, të marrin persona tjerë që nuk kanë pasur të drejtë. Andaj, shuma e saktë e dëmit të shkaktuar që është mundur të vërtetohet nga fermerët e intervistuar, sipas aktakuzës, është rreth 70 mijë euro.

 

Asnjë koment

Comments are closed.