03-12-2024

Prizreni zyrtarisht binjakëzohet me Beratin

Komuna e Prizrenit është binjakëzuar edhe zyrtarisht me Bashkinë e Beratit të Shqipërisë. Për këtë sot votoi në mënyrë unanime, organi më i lartë lokal, Kuvendi i Komunës, transmeton Gazeta e Prizrenit.net.

Në debatin e hapur për këtë pikë, disa nga kuvendarët e PDK-së, por edhe atë AAK-së, thanë se ndoshta nuk ka nevojë për binjakëzime të tilla, pasi gjithnjë e më tepër po shikohet mundësia e heqjes së kufijve, duke e krahasuar një veprim të tillë sikur të binjakëzohet Prizreni me Pejën.

Nisma për këtë binjakëzim është ndërmarrë, në prill nga ana e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe kryebashkiakut Petrit Sinaj, të cilët paraprakisht kanë nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit.

 

Në këtë kontekst me ftesën e Komunës së Prizrenit, një delegacion nga Berati i lashtë ditë më parë kanë qëndruar në Prizren.

 

Këto dy qytete kanë shumëçka të përbashkët, pasi kanë histori mbi 2.000 vjeçare, reliefin me kala në krye, lumenjtë, malet dhe shtëpi të bukura me shumë dritare.

 

Ndryshe binjakëzimi hap rrugën për bashkëpunim kulturor, ekonomik si dhe atë në arsim.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.