06-11-2026

Tragjedi në Gjonaj të Hasit: Një person humb jetën pasi bie me ATV nga lartësia

Një 22-vjeçar ka humbur jetën pasditen e sotme në fshatin Gjonaj të Prizrenit, pasi dyshohet se kishte humbur kontrollin mbi motoçikletën me katër rrota (ATV) dhe kishte rënë nga një lartësi, përcjell Gazeta e Prizrenit

Rasti ka ndodhur, sot – 6 nëntor, rreth orës 15:00. Sipas Policisë, viktima me inicialet A.H. është gjetur i shtrirë në rrëzë të malit, ndërsa pranë tij është gjetur edhe ATV-ja e dëmtuar.

Ekipi i Emergjencës, pas ekzaminimit mjekësor, ka konstatuar vdekjen e tij.

Rastin për Gazetën e Prizrenit e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës rajonal i Policisë në Prizren.

Sipas informacioneve të portalit Gazeta e Prizrenit, viktima është nga familja Hodaj.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

Policia dhe Prokuroria janë duke hetuar rrethanat e këtij rasti tragjik./Gazeta e Prizrenit/

Asnjë koment

Comments are closed.