Një tjetër tragjedi ka goditur fshatin Gjonaj të Hasit. 22-vjeçari Argent Hodaj humbi jetën dje pasdite, pas një vetaksidenti me një mjet motorik të tipit ATV (motoçikletë me katër rrota).
Dyshohet se i riu, derisa po lëvizte me ATV, ka humbur kontrollin mbi mjetin dhe ka rënë nga një lartësi në afërsi të fshatit, shkruan Gazeta e Prizrenit

Vendi i vetaksidentit të Hodajt
Sipas informacioneve, patrulla e Policisë e ka gjetur atë të shtrirë në rrëzë të malit, me gjakderdhje të dukshme në pjesën e kokës, ndërsa pranë tij ndodhej edhe motoçikleta e dëmtuar.
Deri më tani nuk dihet nëse viktima kishte qenë i pajisur me helmetë apo pajisje të tjera mbrojtëse. Po ashtu, ende nuk janë bërë të ditur rrethanat e sakta që çuan në këtë vetaksident, nëse ndikuan kushtet e terrenit apo ndonjë problem teknik i mjetit.

Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë ngjarje është fakti se brenda një jave, në Gjonaj të Hasit, dy persona kanë humbur jetën në vetaksidente me mjete motorike të këtij lloji, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Rasti i parë ndodhi pikërisht një javë më parë, në fshatin Domaj, në njësinë administrative Gjinaj të Hasit, ku jetën e humbi 46-vjeçari Albert Çoçaj, po ashtu nga Gjonaj.

Shtimi i përdorimit të këtyre mjeteve motorike nga të rinjtë në Has dhe lëvizja e tyre nëpër livadhe, terrene të pjerrëta, rrugë të paasfaltuara e zona malore, duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për parandalim.
ATV-të po shihen gjithnjë e më shpesh në këto zona, por përdorimi i tyre në terrene të vështira kërkon kujdes të veçantë, përvojë në drejtim dhe pajisje mbrojtëse.
Edhe kushtet e vjeshtës, si lagështia, balta, gjethet e rëna dhe rrëshqitja e terrenit, mund ta rrisin rrezikun gjatë lëvizjes me këto mjete.
Dy tragjeditë brenda një jave janë një thirrje serioze për vetëdijesim të të rinjve, familjeve dhe institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që të parandalohen raste të tjera të tilla./Gazeta e Prizrenit /
Lexo edhe:
Has: Vëllezërit nga Gjonaj i Hasit, të aksidentuarit në fshatin Domaj

