19-04-2024

Pandemia e virusit COVID-19 dëmton sektorin e pronave të paluajtshme dhe industrinë e ndërtimit në Kosovë

Sektori i paluajtshmërive dhe industria ndërtimore kontribuojnë afro 20 % në Bruto Produktin Vendor të Kosovës. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore dhe të dhënave tjera zyrtare një pjesë të madhe të fuqisë punëtore e bartë sektori i ndërtimit, i cili llogaritet të jetë punëdhënësi i katërti apo i pesti më i madh në Kosovë. Situata e krijuar nga pandemia ka ndikuar që 75% e kompanive ndërtimore të ndërpresin ose reduktojnë punën e tyre dhe 80% e agjensioneve të patundshmërisë dhe pronarët privat (blerësit dhe qiramarrësit), kanë deklaruar se çmimet e shitjes dhe çmimet e qirasë kanë filluar të kenë rënie.

Marrë parasysh rëndësinë e sektorit të palujtshmërisë dhe sektorit të ndërtimit për ekonominë e Kosovës, shqetësimin e komunitetit të bizneseve të sektorit, gjendjen socio-ekonomike të krijuar pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL), e themeluar nga OEK-Oda Ekonomike e Kosovës është duke zhvilluar një hulumtim në lidhje me ndikimin e virusit COVID-19 në sektorin e pronave të paluajtshme në Kosovë.

Qëllimi i këtij hulumtimi është të vlerësohen dëmet që mund të shkaktohen gjatë kohës së pandemisë dhe efektet pas pandemisë në sektor dhe propozimi i masave të nevojshme që duhet ndërmarrë për tejkalimin e situatës.

Nga rezultatet preliminare të hulumtimit, mbi 75 % të kompanive të ndërtimit të cilët morën pjesë në anketim kanë deklaruar se kanë ndërprerë ose janë duke punuar me kapacitete të reduktuara për shkak të gjendjes së krijuar nga COVID-19. Sipas tyre kufizimi i aktiviteteve ekonomike në Kosovë por edhe vendet tjera , sidomos në vendet ku jetojnë dhe punojnë qytetarët tanë në diasporë, varësisht prej kohëzgjatjes do të rezulton në humbjen e shumë vendeve të punës, e cila mund të ndikojë tutje në anulimin e investimeve në këtë sektor. Prej vlerës së përgjithshme të investimeve të huaja të vitit të kaluar një vlerë të konsiderueshme vjen nga diaspora sidomos gjatë tre muajve të verës (korrik, gusht, shtator) e cila lidhet me lëvizjet më të shpeshta të diasporës drejt Kosovës.

Në anën tjetër të gjitha kompanitë të ndërtimit të anketuara, kanë deklaruar që ka pas rënie të shitjeve të pronave, pra rënie në kërkesë veçanërisht në muajin Mars 2020 në krahasim me muajin e njëjtë në vitin 2019. Pra COVID-19 për një vend të varfër dhe me shkallën e papunësisë më të lartë në Evropë mund të jetë shok negativ në trendin e shitjeve të patundshmërisë në raportin ofertë-kërkesë.

Po ashtu edhe prona të lëshuara me qira ka pësuar rënie të madhe përgjatë tre mujorit të parë të vitit 2020 sidomos përgjatë muajit Mars duke krahasuar me po të njëjtin muaj me vitin 2019.

Në të dy anketimet edhe me kompanitë e ndërtimit, agjensionet e patundshmërisë dhe pronarët privat në njërën anë dhe me persona fizik (blerësit dhe qiramarrësit), afro 80% e tyre sipas kanë deklaruar se çmimet e shitjes dhe çmimet e qirasë kanë pësuar rënie. Shitësit mendojnë se rreziku financiar që mund të ballafaqohen blerësit vendor ashtu dhe bashkatdhetarët që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës do të ketë ndikim dhe pasoja si në shtije po ashtu edhe në qiradhënie. Ndërsa nga aspekti i blerëseve rreziku është tek rezervat monetare të cilat i kanë planifikuar për blerje të pronës ti ruajnë si rezerva deri sa të kalon kriza dhe në rast të humbjes së vendeve të tyre  të punës.

Sipas tyre, pako emergjente nga qeveria e Kosovës ka pasur efekt stabilizuar sadopak në këtë situatë, mirëpo shumica e anketuarve mendojnë që kjo masë duhet të vazhdojë edhe disa muaj pas pandemisë , sepse humbjet e tyre janë të mëdha dhe do të detyrohen të largohen nga pronat me destinim komerciale.

Në këtë situatë qeveria dhe Banka Qendrore do ta ketë barrën kryesore për stabilizim, mirëpo njëkohësisht IETL së bashku me ekspertet dhe palët me interes (kompanitë e ndërtimtareve, agjensionet e patundshmërisë dhe palët tjera me interes) mbetet e zotuar që të ofrojë përkrahjen dhe ekspertizën e nevojshme për identifikimin e masave të duhura për sektorin, si dhe të ofrojë rrjetin e partnerëve ndërkombëtar për të tejkaluar këtë sfidë. Ky proces nga ana e IETL vazhdimisht në muajt në vijim do të plotësohet me të dhëna të reja deri në fund të vitit dhe do të monitorohet për të ofruar  përkrahje profesionale për këtë sektor./GazetaBlic

Asnjë koment

Comments are closed.