Para datës 21 nëntor , arrihet marrëveshja për targat në Bruksel
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë , para datës 21 nëntor duhet të arrijnë marrëveshje në Bruksel për çështjen e targave dhe kthimin e serbëve nëpër institucione, të cilët ditë më parë u larguan nga të gjitha postet që mbanin.
Këtë e ka bërë të ditur një burim i afërt me Qeverinë e Kosovës.
“Një marrëveshje për targat duhet të arrihet para datës 21 nëntor ndërsa për çështje tjera nuk ka diçka deri tash”, ka thënë ky burim.
Ndërsa nga Qeveria e Kosovës nuk ka ndonjë konfirmim zyrtarë se a është arritur ndonjë marrëveshje.
Zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi,i cili po qëndron në Bruksel , mbrëmë përmes një deklarate në llogarinë e tij “Facebook” ka njoftuar se është duke zhvilluar takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.
“Në Bruksel zhvilluam ditën e sotme takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.
Në këtë takim, diskutuam mbi rrugën përpara në procesin e dialogut. Theksova rëndësinë e fokusimit të bisedimeve në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se nuk duhet të lejojmë shpërqendrime të qëllimshme nga bisedimet për normalizimin e plotë nga veprime që synojnë përshkallëzimin në terren.”, ka shkruar Bislimi.
Ai po ashtu ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut parimor dhe janë të interesuar të ndërtojnë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët.
“Gjithashtu përsërita interesimin e Kosovës për të vazhduar me takime të rregullta në Bruksel, për elementet e normalizimit të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër. Me z. Lajçak diskutuam dhe opsionet për konvertimin e suksesshëm të të gjitha targave ilegale, në ato legale.”, ka shkruar Bislimi. /IndekOnline/