Para zgjedhjeve rinis fryrja e listave të veteranëve
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së është shprehur e shqetësuar se si në prag të zgjedhjeve kanë nisur të lëshohen certifikata për veteranët e luftës. Njohës të rrethanave politike e juridike theksojnë se persona të caktuar për qëllime elektorale kanë nisur prapë ta keqpërdorin statusin e veteranit, shkruan gazeta “Zëri”.
Në listat e veteranëve të luftës kanë filluar të rriten numrat. Certifikata që vërtetojnë statusin zyrtar të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur të lëshohen prapë. Nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së kanë shprehur shqetësim për shpërndarjen e këtyre certifikatave, të cilat sipas tyre mund të keqpërdoren tash kur vendi është në prag të zgjedhjeve të reja.
Madje edhe ish-ushtarë e komandantë të UÇK-së ndihen të ofenduar për lëshimin e këtyre certifikatave pa u plotësuar kriteret. Ata theksojnë se është e pamoralshme të barazohen me persona që nuk kanë luftuar dhe që mundohen ta mashtrojnë shtetin për përfitime materiale.
Për çështjen e veteranëve është ngritur aktakuzë ndaj 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar, të cilët akuzohen për “Keqpërdorim të autoritetit ose të pozitës zyrtare”. Ata janë: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.