23-11-2024

Paraburgim dilerëve të drogës në “Doku-Fest”

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për Krime të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej 1 muaji, ndaj të pandehurve nga Shqipëri me inicialet  J.Q. nga Durrësi  dhe R.D. nga Shkodra, dhe  K.K. nga Prizreni për shkak të dyshimit të bazuar se secili veç e veç  ka  kryer veprën penale blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej momentit të arrestimit datë 10.08.2018 nga ora 03:00 dhe do të zgjasë deri më datën 10.09.2018.

Në përshkrimin e lëndës, thuhet se në ditën kritike të pandehurit kanë qenë të vendosur në kampin turistik të festivalit “Doku-Fest”, gjatë kontrollimit-bastisjes nga ana e Policisë së Kosovës janë gjetur substanca narkotike që dyshohen të jenë të llojit “Ekstazi”,“Kokain”dhe”Marihuanë” në posedim të pandehurve të përgatitura në qese për shitje gjatë festivalit “Doku-Fest”.

“Pasi që të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprime kundërligjore duke vepruar në dëm të vlerave të shoqërisë ku mbrohet jeta e njerëzve shëndeti i popullsisë, mënyrën dhe rrethanat nën të cilat është kryer ky veprim kundërligjor, e duke pasur parasysh karakteristikat personale(të pandehurit me iniciale K.K.), ku nga databaza e të dhënave të Policisë së Kosovës rezulton se i njëjti ka një mori të veprave penale të regjistruara të natyrave të ndryshme, (që nga viti 2004), andaj Gjykata e ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit”, thuhet në kumtesën e Gjykatës./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.