Paraburgim një person, i dha 50 euro doganierit që ta kalonte kufirin në Vërmicë
Përmes një komunikate, Gjykata Themelore në Prizren Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtari i procedurës – Skender Çoçaj, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 12.12.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 12.01.2022, ndaj të pandehurit R.C., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
– Me datën 12 dhjetor 2021, në orët e mbrëmjes në pikën kufitare në Vërmicë, kufiri Shqipëri-Kosovë, në mënyrë të drejtpërdrejt ofron dhuratë të pa arsyeshëm apo përfitim tjetër, personit zyrtar në atë mënyrë që ai person të veproj ose të mos veproj në pajtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në automjetin e markës “ ………. ”, në të cilën ishte edhe një pasagjer tjerë, i pandehuri, afrohet për kontroll në kabinë, tek zyrtari policor, dhe në lejen e qarkullimit të automjetit vendos një kartëmonedha me vlerë prej pesëdhjete (50) euro , me numër serik : ………., në momentin që i vëren zyrtari i policisë e pyet se përse janë këto para, i pandehuri i përgjigjet “ këto të holla i kam lënë për ju për respekt tuajin, nuk kemi certifikatë të vaksinimit, dhe as testin PCR për Covid-19, nëse do të keni mundësi të na lejoni hyrjen”
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka vlerësuar se me qëndrimin në liri i pandehuri mund të fshihet apo të jepet në arrati me qëllim të shmangies nga organet e ndjekjes dhe përgjegjësia penale, pasi që nuk ka vendbanim në Republikën e Kosovës, dhe prezenca e tij është e detyrueshme në procedurën penale, prandaj nëse i njëjti lihet në liri apo me ndonjë masë më të butë i pandehuri mund të jepet në arrati me çka do të pamundësojë zhvillimin normal të procedurës penale.
Po ashtu, duke marrë parasysh peshën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, ku i pandehuri ka tentuar që të kaloj pikë kalimin kufitar përmes dhënies së ryshfetit dhe qëllimin e tij të kaloi kufirin pa i përfillur dhe respektuar procedurat dhe rregullat e Republikës së Kosovës, tregojnë rrezikun se i njëjti mund të përsërisë veprën penale, andaj Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale.