Paraburgim për vrasjen në tentativë të dyshuarit nga Randobrava
Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda ia ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej 1 (një) muaji, të pandehurit me iniciale E.M.nga fshati Randobravë e Prizrenit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, të vrasjes së mbetur në tentativë, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Në arsyetimin e aktvendimit, thuhet se me datën 28.06.2019, rreth orës 13:40 minuta,në fshatin Randobravë, Komuna e Prizrenit, i pandehuri E.M. me dashje tenton ta privojë nga jeta personin tjetër.
“Kjo ka ndodhur atë mënyrë që deri sa ishte duke ecur rrugës së fshatit në drejtim të rrugës magjistrale Prizren-Gjakovë, në momentin kur E. M e vëren të dëmtuarin me iniciale R.F. nga po i njëjti fshat, me të cilin kishte pasur mosmarrëveshje disa ditë më parë, nga brezi nxjerr një thikë dhe me të njëjtën e godet në pjesën e përparme të gjoksit.
Nga këto veprime i dëmtuari është në gjendje të rëndë shëndetësore pranë QKUK-së në Prishtinë”, thuhet në kumtesën e Gjykatës në Prizren. /GazetaePrizrenit.net/