27-07-2024

Paraburgim prishtinasit, që tentoi ta vrasë një person në Samadraxhë të Suharekës

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për Krime të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale A.B. nga fshati Prugovc, Komuna e Prishtinës për shkak të dyshimit të bazuar se  ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë dhe veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Në përshkrimin e lëndës, thuhet se me datën 03.08.2018 rreth orës 15:00, në fshatin Samadraxhë,  Komuna e Suharekës, i pandehuri në vend publik me dashje tenton ta privojë nga jeta një person tjetër, pra vë në rrezik jetën e njerëzve, në atë mënyrë që nga automjeti i tij i parkuar shkrep katër herë në drejtim të dëmtuarit me iniciale S.D., të cilin me një plumb e ka goditë në harkun brinjor majtas.

“Vendosmëria e të pandehuri për të kryer veprën penale dhe atë rrugëtimi prej Fushë Kosovës e deri në një fshat të Suharekës, në Samadraxhë për çka mund të dyshohet se i pandehuri mund të ketë tendenca të përfundimit të veprës penale. Andaj caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë të zhvillimit të procedures është më se i domosdoshëm”, thuhet në aryetimin e lëndës. /GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.