26-11-2024

Paraburgim të dyshuarit në Prizren, për dhunë në familje

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarit N.S., në Prizren për dhunë në familje.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit N.S., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit.

“…Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se më 15 maj, në shtëpinë e përbashkët familjare, i pandehuri N.S., brenda një marrëdhënie familjare i shkakton dhunë, keqtrajtim fizik dhe psikologjik të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, ashtu që në momentin kur e dëmtuara – bashkëshortja i ofron të pandehurit për ta marr terapinë e përcaktuar nga mjeku, i pandehuri i nervozuar dhe agresiv për shkak të problemeve psikike e kap për krahu të dëmtuarën e godet me grusht duke e ofenduar, pastaj me një gotë qelqi gjuan në drejtim të fëmijës së tij (vajzës), me ç’rast tek e dëmtuara shkakton frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e saj që të jetoj së bashku me të njëjtin, me çka e dëmtuara edhe kërkon mbrojtje në polici”.

“…Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale”, thuhet më tej.

Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh të kaluarën kriminale të të pandehurit, pasi që i njëjti sipas data bazës në polici ka shumë raste penale për vepra të natyrës së ndryshme, si dhe sjelljet agresive në vazhdimësi të të njëjtit në drejtim të të dëmtuarës dhe familjes së tij, arsyetojnë faktin që ndaj të pandehurit të caktohet masa e paraburgimit.

Gjithashtu, gjyqtari i procedurës ka lëshuar edhe urdhër për ekzaminim psikiatrik ndaj të pandehurit N.S., ashtu që Instituti i Psikiatrisë Forenzike të konstatojë gjendjen momentale dhe të vazhdueshme neuropsikiatrike e të pandehurit, dhe të konstatohet se në kohën e kryerjes së veprës penale aftësia e tij mendore a ka qenë e zvogëluar, dhe të vërtetohet fakti se i pandehuri N.S., a ka qenë në gjendje të kuptoj natyrën dhe rëndësinë apo pasojën e veprimeve në kohën e kryerjes së veprës penale.

Nga të lartcekurat, gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale dhe me masën e paraburgimit do të sigurohet prezenca e të pandehurit në procedurë hetimore duke siguruar mbarëvajtjen e fazës së hetimeve në këtë fazë me qëllim të zbardhjes së të vërtetës.

Asnjë koment

Comments are closed.