03-05-2024

Paraburgim të dyshuarve që u kapën në laborator të drogës në Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurve A.R., M.V., E.M., F.M., A.M., E.D., për shkak të dyshimit zë bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit dhe blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge të Kodit Penal të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, thuhet se Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit. Katër nga të dyshuarit janë me shtetësi maqedone, një nga Prishtina dhe një nga Suhareka.

“Nga data e pavërtetuar e deri me datë 16.02.2022, pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikeve ose substancave psikotropike, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me njëri – tjetrin kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë – Komuna e Suharekës, dhe atë në katin e 7-të, ashtu që me datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, e po ashtu në vendin e ngjarjes janë zënë në flagrancë të gjithë të pandehurit”, thuhet në komunikatë.

“Po ashtu, të pandehurit e lartcekur, pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substancën të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuanë, të shpallur me ligj si narkotik, të cilat i kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, të siguruara në rrethana të përshkruara si më lartë, e të cilën substancë e kanë ofruar për shitje apo shpërndarje personave të tjerë tani për tani të pa identifikuar”, thuhet në komunikatën nga kjo Gjykatë. /GazetaePrizrenit.net

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.