Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, të hënën, ka aprovuar dy kërkesa të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve D.G, I.G, dhe M.H, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “dhuna në familje”.
Gjyqtari mbikëqyrës i Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, Lulzim Paçarizi, në një prononcim për “Betimi për Drejtësi, njoftoi se të pandehurve D.G, I.G, dhe M.H, iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
“Gjykata ka konstatuar se masa e paraburgimit është mase adekuate për zhvillimin e papenguar në këto çështje penale, për shkakun se procedura penale është në fazën fillestare dhe se ekziston rreziku që të pandehurit do të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë apo edhe ti falsifikojnë provat, duke pas parasysh edhe faktin se në rastin konkret nuk janë dëgjuar ende dëshmitarët, andaj me qëndrimin në liri, mund ta dëmtojnë procedurën hetimore në rastin konkret”, tha gjyqtari Paqarizi.
Ndryshe, në këtë gjykatë që nga shfaqja e pandemisë në Kosovë e deri më tani janë proceduar 13 lëndë për subjektet afariste.
“Për mos respektim të vendimeve të qeverisë dhe nivelit komunal, deri më tani janë proceduar trembëdhjetë lëndë në gjykatë për subjektet afariste, ndërsa janë mbyllur njëmbëdhjetë prej tyre, dhe në mesin e tyre janë një kafiteri dhe një restorant”, ka thënë drejtori i inspektoratit në Komunën e Malishevës, Dibran Kastrati , për “Betimi për Drejtësi”.
Sipas drejtorit Kastrati, po ashtu gjatë periudhës së pandemisë janë shqiptuar 105 gjoba për personat fizik. /BetimipërDrejtësi