22-12-2024

Parashikimi i “Bacit”, thotë se Albin Kurti do të dorëzohet

Ish-presidenti i Kosovës dhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka folur për Periskopin në lidhje me situatën e krijuar së fundi në vend.

Pacolli ka komentuar vizitën e Emisarit special për Ballkanin, Gabriel Escobar, në Kosovë ku ky i fundit i bëri të qarta qëndrimet e shtetit amerikan në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi.

Sipas Pacollit, kryeministri Kurti e di mirë që nuk mund ta ndryshojë mënyrën e dialogut pavarësisht se i luftoi dhe kundërshtoi marrëveshjet e arritura në dekadën e fundit, por prapë po i zbaton si të tilla.

“Kryeministri Kurti ka bërë mirë që ka hyrë në dialog. Dialogu nuk është shpikje as e Kosovës dhe as e Serbisë, por një mekanizëm i krijuar nga aleatët tanë për të trajtuar tema të hapura mes dy shteteve, mbi të gjitha të një marrëveshjeje me njohje reciproke. Ky term u prezantua për herë të parë nga presidenti Trump dhe sot kjo është një kërkesë zyrtare ndaj Serbisë, jo me atë që quhej një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme, e cila ishte më e paqartë. Pra, kryeministri Kurti e di që nuk mund të ndryshoj mënyrën e dialogut. Ai e kundërshtoi dhe luftoi marrëveshjet e arritura në dekadën e fundit, tani po i zbaton vetë ato marrëveshje. Nëse do të ishin aq të këqija, ai do të kundërshtonte siç ka bërë”, tha Pacolli për Periskopin.

Tutje, Pacolli i bindur thotë se kryeministri Kurti do t’i pranojë edhe vendimet për Manastirin e Deçanit dhe Asociacionin e Komunave Serbe.

Ndër të tjera ai pret nga Kurti që të sqarojë se çfarë do të thotë “njohje reciproke në qendër”, sepse siç thotë Pacolli, “në diplomaci njohja është akt formal, jo proces as në qendër e as në fillim e as në fund, por një akt i plotë”.

“Dalëngadalë do të vijmë në qëndrimin ku kryeministri Kurti do ta pranojë vendimin për Manastirit të Deçanit, për Asociacionin e Komunave Serbe, fusnotën tash e ka pranuar, nuk e kundërshton. Ajo që pres nga kryeministri Kurti është të sqarojë se çfarë do të thotë njohje reciproke në qendër, a është ky formulim se nuk do të ketë njohje eksplicite, sepse në diplomaci njohja është akt formal, jo proces as në qendër e as në fillim e as në fund, por një akt i plotë”, deklaroi Pacolli.

Krejt në fund Pacolli tha se, Albin Kurti duhet te mbajë përgjegjësi sepse është Kryeministër i Kosovës

 

Asnjë koment

Comments are closed.