Parashikimi për ulje të temperaturave, MSH ka një njoftim të rëndësishëm për orarin e punës
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se vendimi për për kufizimin e orarit të punës për disa kategori shoqërore për shkak të temperaturave të larta përfundon sot.
Në njoftimin e MSH-së thuhet se java e ardhshme do të karakterizohet nga temperatura që nuk paraqesin rrezik për kategoritë e cenueshme të shoqërisë.
“Pas konsultimeve me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Institutin Hidrometeorologjik, Ministria e Shëndetësisë njofton se vendimi për kufizimin e orarit të punës për disa kategori shoqërore për shkak të temperaturave të larta përfundon sot, më 20 korrik 2024. Sipas parashikimeve, java e ardhshme do të karakterizohet nga temperatura që nuk paraqesin rrezik për kategoritë e cenueshme të shoqërisë. Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të monitorojë situatën klimatike dhe të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve”, thuhet në vendim.
Ndryshe, para një jave MSH mori vendim që gratë shtatzëna të lirohen nga puna, qytetarët me sëmundje kronike do të punojnë me orar të shkurtuar deri në katër orë si dhe ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00-17:00.
Ky vendim erdhi në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave./GS