20-04-2024

Pas aksidentit në trafik, i padituri pranon t’ia rimburësojë mbi 3.800 euro Byrosë së Sigurimeve

I padituri Blondin Shabandula si dhe Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS), të hënën, kanë arritur marrëveshje gjyqësore për shumën e rimbursimit prej 3 mijë 837 euro, pas aksidentit në trafik.

Një marrëveshje e tillë gjyqësore, është arritur në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec.

Në këtë seancë, pas një konsulte në mes të përfaqësuesit të paditurit, avokatit Zahir Hamza dhe përfaqësuesit të paditëses, Veton Neshati, dhe me qëllim që të mos krijojnë shpenzime të tjera, dhe meqenëse siç u tha, baza juridike nuk është kontestuese, palët ndërgjyqëse vendosën që të arrijnë marrëveshje gjyqësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas deklarimeve të palëve, gjykatësi i çështjes, Betim Behluli, tha se me këtë marrëveshje gjyqësore, obligohet i padituri Blondin Shabandula nga Rahoveci, që të dëmtuarës BKS, në emër të kompensimit të dëmit të shkaktuar t’i paguaj shumën prej 3,837 euro në këste mujore nga 108 euro,  deri në pagesën definitive.

Lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes së arritur, përfaqësuesi i paditëses, Veton Neshati dhe përfaqësuesi i te paditurit avokati Zahir Hamza, deklaruan se nuk kanë vërejtje.

Pas kësaj, gjykatësi Behluli, njoftoi palët se kjo marrëveshje gjyqësore tashmë ka marrë formën e prerë të aktgjykimit.

Ndryshe, më 4 shtator 2019, Byroja Kosovare e Sigurimeve, kishte ushtruar padi kundër të paditurit Blondin Shabandula, për rimbursimin e dëmit material në vlerë prej 3,837 euro.

Sipas padisë, i padituri Shabandula më 02 mars 2017, nga pakujdesia ka shkaktuar aksident trafiku dhe i shkakton dëme të dëmtuarit Edon Qeska, ndërsa me rastin e aksidentit automjeti i të paditurit ka qenë me afat të skaduar të polisës së sigurimit.

Në padi thuhet se BKS-ja të dëmtuarit Qeska, në bazë të Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjsia ia ka kompensuar dëmin e shkaktuar nga i padituri e në bazë të kësaj BKS, përmes padisë, ka kërkuar rimbursimin e dëmit të shkaktuar ndaj Blondin Shabandula ./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.