20-04-2024

Pas një dekade, hapet rruga për funksionalizimin e Parkut të Biznesit në Prizren

Qeveria e Kosovës do të nënshkruaj vendimin për shpronësimin e tokave në zonën e Parkut Industrial,  që i hap rrugën funksionalizimit të tij. Lajmin, të cilin dje e dha Kryeministri Haradinaj, e për të cilin ka njoftuar “gazetaeprizrenit.net”, sot e ka konfirmuar edhe kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka.

 

“Ky është lajm jashtëzakonisht i mirë për Prizrenin, ngase hap rrugën për finalizimin e këtij projekti, të zvarritur për një dekadë të tërë”, ka deklaruar ai.

 

Haradinaj, një ditë më parë gjatë qëndrimit në Prizren, ka njoftuar se me vendim të Qeverisë, prona nga ish-armata jugosllave ka kaluar në pronë komunale dhe nga sot, Prizreni do ta ketë në shfrytëzim.

 

Komuna e Prizrenit ka shumë nevojë për  Park Industrial, për faktin se do të mundësojë ofrimin e hapësirës për investime vendore dhe të huaja dhe për faktin se Prizreni ka traditë më të gjatë të industrializimit në vend.

 

Haskuka ka thënë se Prizreni ka prodhuar armë të ndryshme, produkte dekorative të arit e argjendit si dhe ka qenë i shquar për përpunimin e lëkurës. Të gjitha këto produkte, qysh para disa shekujsh, janë shitur gjithandej në Evropë dhe në vendet e Mesdheut.

 

 

Kohë më parë, për Parkun e Biznesit,  Komuna ka përcaktuar hapësirën në pjesën verilindore të Prizrenit,  në një sipërfaqe prej rreth 80 hektarësh, në lokacionin e ish-poligonit të shenjëtarisë,  që shtrihet në boshtin rrugor Lubizhdë -Korishë,  5 km larg nga qyteti.

 

 

Zona trajtohet si lokacion për zhvillimin e ekonomisë  së vogël dhe të mesme: biznes, prodhime industriale, zejtare,  servise, shërbime, deponime pastaj banim individual për punonjësit, hoteleri, sport dhe rekreacion.

 

Afaristi prizrenas, Afrim Tejeci  shprehet se zona industriale është brenga më e madhe në këtë komunë, pasi ka shumë kohë që është kërkuar funksionalizimi i saj, por kjo nuk ka përfunduar, derisa ka kompani si nga Prizreni, nga vendi, diaspora por edhe nga jashtë që janë të interesuar të investojnë.

 

 

Tejeci ka thënë se bizneset mbi 30% të investimeve i shpenzojnë në infrastrukturë për blerjen e parcelave, ndërsa në Prizren ka mbi 80 hektarë tokë në dispozicion, por ato ende nuk u janë ndarë atyre./gazetaeprizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.