Pas rigjykimit dënohet sërish drejtori i shkollës së mesme në Malishevë, që akuzohet për ryshfet
Gjykata Themelore në Gjakovë, të martën, pas rigjykimit e ka shpallur sërish fajtor drejtorin e shkollës së mesme në Malishevë “Hamdi Berisha”, Izet Hoti, i akuzuar se kishte marrë ryshfet për organizimin e mbrëmjes së maturës.
Hoti akuzohet se kishte kërkuar ryshfet në shumë prej 1 mijë e 500 euro nga menaxheri i restorantit “BIMI-2”, për organizimin e mbrëmjes së maturës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shaqir Zika, i akuzuari Hoti është dënuar me 8 muaj burgim efektiv dhe 1 mijë euro gjobë.
Gjobën i njëjti është i obliguar që ta paguaj në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Gjykatësi Zika tha se trupi gjykues edhe pas rigjykimi pas vlerësimit të të gjitha provave ka ardhur në përfundim se në veprimet e të akuzuarit formohet të gjitha elementet e veprës penale me të cilën akuzohet.
Ai ndër të tjera tha se kjo është vërtetuar veçanërisht nga masat e fshehta teknike të vëzhgimit ku në mënyrë të qartë vërehet dhe ceket se i njëjti ka kërkuar diferencën e çmimit.
Ndryshe, lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Gjakovë edhe më 26 prill 2019, të akuzuarin Hoti, e kishte shpallur fajtor, duke e dënuar me tetë muaj burg efektiv dhe 1 mijë euro gjobë, për marrje të ryshfetit, dënim të cilin e kishte vërtetuar edhe Apeli më 9 korrik 2019.
Mirëpo, Gjykata Supreme i kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës së Apelit me të cilin, kjo e fundit Hotit ia kishte vërtetuar dënimin me burg dhe gjobë dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje në Apel, ndërsa Apeli e ka kthyer lëndën në rigjykim në shkallën e parë.
Në fillim të këtij viti, pasi që mbrojtja kishte ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, kjo e fundit e kishte anuluar aktgjykimin e Apelit me të cilin ishte vërtetuar dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë.
Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, konkludimi i gjykatës së shkallës së dytë është në kundërshtim jo vetëm me arsyetimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, por edhe me shkresat e lëndës sepse dëshmitari Gëzim Kastrati, sipas Supremes, në kohën kur ngarkohet i akuzuari ta ketë kryer veprën penale përveç që ishte menaxher i restorantit “BIMI-2” ishte edhe zyrtar policor dhe se ketë rast e kishte paraqitur në njësinë e hetimeve në Stacionin Policor të Gjakovë duke përpiluar raport zyrtar.
Gjithashtu sipas Supremes, dëshmitari Kastrati në hetime dhe në shqyrtimin gjyqësor e ndryshon dëshminë duke deklaruar se i dënuari ia ka kërkuar hua 1 mijë e 500 € dhe se ka pasur dyshim se nuk po ia kërkon hua, por po i kërkon ryshfet. Por, sipas Supremes, edhe në hetime edhe në shqyrtimin gjyqësor, dëshmitari ka theksuar se oferta për karrige për mbrëmje të maturës ka qenë 11 €, 12 € dhe 13 € dhe i akuzuari i kishte thënë se nëse pranon ofertën 13€ e dua një bakshish, dhe se diferencën prej dy euro e ka kërkuar bakshish.
Sipas aktakuzës së ngritur më 24 shtator 2018, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Izet Hoti, akuzohet se më 2 maj 2018, si drejtor i shkollës së mesme të lartë “Hamdi Berisha” në Malishevë, ka kërkuar ryshfet në shumë prej 1 mijë e 500 euro nga menaxheri i restorant “BIMI-2”, Gëzim Kastrati, për organizimin e mbrëmjes së maturës në po këtë restorant.
Në aktakuzë thuhet se oferta reale për karrige ka qenë 11 euro, mirëpo i pandehuri ka kërkuar nga menaxheri që ta ngritë shumën në 13 euro, ashtu që shumën e mbetur ta merr për vete, e që një gjë e tillë është provuar në bazë të dëgjimeve telefonike të kryera nga ana e policisë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë. /BetimipërDrejtësi